TIK, sektori më premtues për rritjen ekonomike dhe qasjen e femrës në tregun e punës

Teknologjia e Informacionit është sektori i cili mund të ndikojë direkt në rritjen ekonomike dhe përfshirjen e femrave në tregun e punës. Kështu u vlerësua në Konferencën “Vajzat në TIK” e cila u organizuar në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK, që u mbajt sot në Prishtinë.

Lajme

28/04/2017 14:59

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me këtë rast ka vlerësuar se sektori i teknologjisë së informacionit është një nga mundësitë më të mira që ka vendi ynë për të ecur shpejt në zhvillimin ekonomik dhe shtoi se buxheti institucional për mbështetjen e sektorit të teknologjisë informative duhet të dhjetëfishohen.

“Të rinjtë tanë janë shumë të pasionuar me teknologjitë e informacionit, por vetëm pasioni nuk mjafton. Interesi i drejtpërdrejtë nacional është që potencialin dhe pasionin e të rinjve tanë për IT ta shndërrojmë në industri të IT-së”, tha kryeparlamentari Veseli, duke shtuar se në këtë drejtim është e nevojshme që të stimulohet avancimi i femrave në përvetësimin e shkathtësive në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Ndërsa, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci theksoi se TIK është sektori më premtues jo vetëm për ekonominë kosovare por edhe i transformimeve digjitale që po ndodhin gjithandej botës, dhe nëse e shohim dallimet që eksitojnë në mes të kërkesës në tregun e punëve digjitale dhe shkathtësive, rezulton se në hapësirën e unionit Evropian do të krijojë më shumë vende pune.

“Sot të gjitha veprimtaritë e kanë një E para vetes dhe e dini që njëra prej shtyllave të tregut digjital E -Society ka për qëllim që sa më shumë të ketë të involvuar në këtë sferë dhe mbi të gjitha të ketë vajza dhe gra. Kjo sepse është dëshmuar përmes formulave të ndryshme trigonometrike që pjesëmarrja e grave në sektorin e TIK-ut ndikon pozitivisht në rritjen ekonomike, ndikon po ashtu pozitivisht edhe në pjesëmarrjen e plotë të tyre në të gjitha aktivitetet shoqërore”, tha Stavileci.

Në këtë linjë Stavileci përmendi platformën WOW – Gratë në Punë Online, e cila është në fazën e tretë të zhvillimit të saj, ndërkohë që deri me tash diku 50% e grave të trajnuara kanë gjetur së paku një vend pune dhe me pagesa të larta që paguhen më shumë se në sektorët e tjerë, dhe për këtë arsye MZHE do të vazhdojë të mbështes të gjitha iniciativa dhe po punon në krijimin e platformave për ekonominë digjitale.

Zëvendësministrja, Besa Zogaj – Gashi tha se vajzat e përfshira në këtë sektor janë bërë model për të gjitha vajzat në vendin tonë dhe ato tashmë e kanë kuptuar se TIK nuk është vetëm për meshkuj dhe kjo ka bërë që ato të tregojnë rezultate të prekshme..

“Tani fillon faza e katërt e projektit WOW ku mbi 800 vajza kanë shprehur interesim për këtë projekt. Në fazën e parë dhe të dytë ku kanë diplomuar 150 vajza, mbi 50 për qind të tyre kanë gjetur punë dhe 35 prej tyre kanë lidhur kontrata të punës në 35 vende të botës”, tha ajo.

Colleen Hyland – Zëvendës Shefe e Misionit në Ambasadën e SHBA-së tha se mbështesin zhvillimin e këtij sektori dhe inkurajojnë gratë që të bëhen pjesë e tij. “Sot Kosova bashkohet me vende e botës në inkurajimin dhe përfshirjen e grave dhe vajzave në aftësim dhe karrierë në fushën e TIK. Kjo është një çështje urgjente në SHBA ashtu si këtu në Kosovë… pra, le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar se të gjitha rrugët janë të hapura për vajzat e Kosovës dhe se çdo vajzë në Kosovë përfiton nga hyrja në universin e mundësive’, tha ajo.

Vllaznim Xhiha – Anëtar Bordi në RIT Kosovo vlerësoi se TIK ndërlidh shumë fusha në kuadër të shkencave informative dhe është shumë vështirë të gjendet ndonjë fushë ku ne nuk kemi ndikim në jetën tonë. Prandaj përfshirja e femrave në TIK është një iniciativë e mirë dhe të gjithë duhet të bëjmë më shumë sa i përket këtij sektori, duke i mbështetur në forma të ndryshme.

Ndryshe, këtë vit konferenca ‘Vajzat në TIK’, u organizua nga MZHE në bashkëpunim me IPKO Foundation, Ambasadën Amerikane, Empower USAID dhe A.U.K TDI me qëllim të zgjerimit të gamës së kësaj ngjarjeje, duke synuar ngritje të vetëdijes lidhur me mundësitë e vajzave/grave në sektorin e TIK përmes një matrice shumëdimensionale perspektivash, historish suksesi, si dhe mundësi rrjetëzimi për vajzat pjesëmarrëse dhe gratë punëdhënëse aktive në këtë sektor./ Lajmi.net/