Tifozët shtypin njëri-tjetrin, vdesin 15 prej tyre

Një tragjedi ka ndodhur në Republikën Demokratike të Kongos. Gjatë ndeshjes AS Vita – TP Mazembe, u rrënua muri dhe porta në stadium dhe tifozët e shtypën njëri tjetrin, duke ikur. Me këtë rast mbetën të vdekur 15 tifozë.

Sport

12/05/2014 23:47

Republika Demokratike e Kongos është në zi. Së paku 15 tifozë kanë vdekur si pasojë e shtypjes nga turma, në fund të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve AS Vita e TP Mazembe.

Në fakt, pas rrënimit të murit dhe portës, turma e tifozëve mori ‘krye’ dhe nga frika për të shpëtuar, e shtypën njëri tjetrin dhe fatkeqësisht, disa tifozë nuk ia dolën dot të shpëtonin.

Tragjedia ndodhi në Tata Raphael Stadium të Kinshasas.

Kreu i Konfederatës së Futbollit të Afrikës (CAF), Issa Hayatou, i ka ofruar ngushëllimet e tij për familjet e 15 tifozëve të vrarë të dielën, ndërkohë që ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Kongos një raport të plotë për incidentin.

“Do të doja ta shpreh keqardhjen time të thellë pasi dëgjuam për vdekjen e së paku 15 personave gjatë ndeshjes ndërmjet AS Vita TP Mazembe”, ka thënë Hayatou për CAFOnline.

Muri u rrënua gjatë kohës shtesë, ndërsa Mazembe po udhëhiqte 1:0. Gjatë ndeshjes, tifozët e AS Vita kishin lansuar objekte në fushë, ndërsa policia kishte gjuajtur gaz lotsjellës në tribuna.