Tifozët e zgjedhin portierin e ri të Kombëtares së Spanjës

Tifozët e kombëtares spanjolle janë treguar të qartë në sondazhin e ‘AS’, duke i besuar portën portierit të Portos, Iker Casillas, pas formës aspak të mirë të David de Gea.

Sport

17/11/2018 08:47

Ekipi spanjoll ende nuk është këndellur që nga eliminimi nga Kupa e Botës në Rusi, e këtë më së miri e tregojnë humbjet nga Anglia dhe Kroacia në Ligën e Kombeve.

Brenda ekipit spanjoll tashmë kanë lindur dyshime të mëdha se kush duhet të jetë portieri i ri i kombëtares në këto momente, pas formës së aspak të mirë të portierit të Manchester United, David de Gea.

Në një sondazh të organizuar nga media spanjolle ‘AS’ në versionin online, ku kanë marrë pjesë 100,072 persona,  50 për qind e tyre kanë votuar se Iker Casillas duhet të rikthehet si titullar në kombëtare për formën që po kalon në Portugali te Porto, përcjell ‘lajmi.net’.

Me afër 40 për qind të votave, pas Casillas është renditur portieri i Chelsea, Kepa Arrizabalaga.

Ky sondazh të tretin renditi Pau Lopezin, ndërsa në fund u rendit De Gea, që nuk arriti të marrë as pesë për qind të votave nga ky sondazh.

Rezultatet e këtij sondazhi i kanë dhënë një goditje De Geas, që nuk është as në mesin e tri opsioneve të para për portën spanjolle./Lajmi.net/