Tifozët e Realit kërkojnë finale me Chelsean

Tifozët e Real Madridit preferojnë të takohen në finale me Chelsean, në vend të rivalit të qytetit Atletico Madrid. Ky është rezultati i një sondazhi të gazës sportive spanjolle AS.

Sport

30/04/2014 20:34

Shumica e tifozëve të Real Madridit preferojnë që Chelsea të fitojë sonte kundër Atletico Madridit dhe t’i bashkohet atyre në finalen e Ligës së Kampionëve.

Ky është rezultati i dalë nga një sondazh i realizuar nga e përditshmja sportive spanjolle AS. Pas më tepër se 7 mijë votash, 61.92 përqind e tifozëve të Los Blancos zgjodhën Chelsean për kundërshtar në finalen e madhe të Lisbonës.

Ndoshta për faktin se Atletico Madridin e kanë rival të qytetit, ose marrë parasysh vështirësitë në duelet me ta gjatë këtij edicioni të La Ligës, tifozët e Realit preferojnë të ndeshen me Chelsean.

E për të mësuar nëse do t’ju plotësohet dëshira duhet të presin përfundimin e duelit të sotëm ku Chelsea pret Atletico Madridin në Stamford Bridge pas barazimit 0:0 në ndeshjen e parë në Vicente Calderon.