Tifozët e Liverpoolit, më jetëshkurtrit në Angli

Tifozët e Liverpoolit jetojnë më së paku në mesin e klubeve më të mëdha angleze. Më keq është vetëm Birmingham City, edhe pse me një diferencë shumë të vogël. Pijanecët më të mëdhenj janë përkrahësit e Newcastles.

Sport

09/05/2014 22:55

Një studim në mesin e tifozëve të futbollit ka treguar se mbështetësit e Liverpoolit dhe Birmingham Cityt janë më jetëshkurtrit në Angli.

Ai po ashtu zbuloi se tifozët e Newcastles konsumojnë më së tepërmi alkool, ndërsa përkrahësit e skuadrës Gillingham, vuajnë më së shumti nga mbipesha.

Tifozët e gjigantit nga Anfield jetojnë rreth 72.61 vjet, kurse ata të skuadrës së Lee Clark kanë një mesatare të ngjashme.

Studimi i kryer nga BBC mori në pyetje rreth 100 mijë persona që jetojnë në zonat afër stadiumeve të skuadrave përkatëse dhe mësoi se tifozët nga Merseyside gjenden menjëherë pas atyre nga Midlands, sa i përket kategorisë së jetëshkurtërve.

Studimi kalkuloi shënimet nga Shëndeti Publik dhe nxori përfundimin që lehtë mund të përforcohet nëse Reds dështojnë të fitojnë titullin edhe këtë edicion, pas pritjes së gjatë nga viti i largët 1990.

Mirëpo, përveç arsyeve sportive, një faktor kontribuues janë edhe çështjet sociale dhe ekonomike.