Tifozët e Dinamos së Zagrebit ndalen nga policia shqiptare
Dhjetëra tifozë të Dinamo Zagrebit, “Bad Blue Boys”, janë ndaluar nga policia shqiptare në pikën kufitare të Hanit të Hotit.

Sport
Në pikën kufitare të Hanit të Hotit, policia shqiptare ka ndaluar disa dhjetëra tifozë kroatë. Lajmi konfirmohet nga zyrtarët e klubit korçar, që mbeten në kontakte të shpeshta me drejtuesit e policisë së shtetit, për të garantuar mbarëvajtjen e takimit dhe të evitohen të gjitha incidentet.
Sipas të njëjtave burime nga Skënderbeu, tifozët dyshohet se i përkasin grupimit të huliganëve, “Bad Blue Boys”. Ata tentuan të hynin nga pika kufitare me Malin e Zi. Të gjithë ishin të gjithë të pajisur me bileta për ndeshjen, por nuk kishin autorizim nga klubi i Dinamos për të qenë të pranishëm në stadium.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në kufirin e Kroacisë me Bosnje Hercegovinën. Sipas mediave në Zagreb, 80 tifozë të Bad Blue Boys që po udhëtonin drejt Shqipërisë u ndaluan.
Pjesa më e madhe e tyre ishin të skeduar për dhunë në stadiume, raporton SuperSport. Pas kontrolleve në mjetet me të cilat udhëtonin, tifozëve iu gjetën mjete piroteknike. Disa prej tyre u ndaluan nga policia, ndërsa të tjerë u kthyen mbrapsht.
Edhe në këtë rast mungonin autorizimet e skuadrës së Dinamos. Një zgjedhje e klubit nga Zagrebi, që biletat në dispozicion vendosi t’i shpërndante vetë, për të evituar që ato të binin në duart e tifozëve problematikë.
Megjithëkëtë këto masa dhe kontrollet në kufi, dyshohet se një numër i konsiderueshëm ultrasish kroatë ndodhen në Shqipëri. Policia ka njoftuar se personat pa autorizim nuk do të hyjnë në stadium.
Mbi 400 uniformat blu dhe personeli i sigurisë prej 250 personash, do të kenë edhe mbështetjen e 4 oficerëve të sigurisë nga Kroacia, të cilët do të evidentojnë huliganët, për të mos i lejuar të hyjnë në stadium.