Tifozët e Barcelonës zgjedhin Suarezin

Tifozët e Barcelonës kanë përzgjedhur sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez, si përforcimin e tyre të preferuar, për afatin kalimtar të verës. Pas tij u renditen Fernando Llorente dhe Romelu Lukaku.

Sport

16/05/2014 10:19

Shumica e tifozëve të Barcelonës kërkojnë që klubi të transferojë sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez.

Në një sondazh nga e përditshmja sportive katalane Mundo Deportivo, 60 përqind e mbështetësve të klubit nga Camp Nou kanë votuar që Suarez të jetë përforcimi kryesor i ekipit për sezonin e ri.

Opsioni i dytë i tifozëve të Barcelonës, është sulmuesi i Juventusit, Fernando Llorente i cili mori 22 përqind të votave. Kurse, i treti doli sulmuesi i Chelseas, i huazuar në Everton, Romelu Lukaku me 10 përqind të votave.

Suarez duket të jetë dëshira më e madhe e tifozëve të Barcelonës për transferim në klub gjatë afatit kalimtar të verës.

Mirëpo, një gjë e tillë është shumë e vështirë për t’u realizuar për faktin se ylli uruguaian ka kontratë afatgjate me Liverpoolin dhe vetëm disa ditë më parë deklaroi se në marrëveshjen e tij me Reds nuk ka të përfshirë dëmshpërblim që i mundëson të transferohet në Barcelonë, Real Madrid, ose ndonjë klub tjetër.