‘Tifozat Kuq e Zi’ protestojnë në Nyon

Në ora 14:00 gjatë ditës së sotme, do të ketë një protest para selisë së UEFA-së në Nyon të Zvicrës, ku do të jenë të gjithë shqiptarët, të cilët janë ndarë të pakënaqur me vendimin e shtëpisë së futbollit europian, për ndeshjen e ndërprerë ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Protesta është organizuar nga grupi i ‘Tifozave Kuq e Zi’.

Sport

02/11/2014 11:33

“Sepse KuqeZi je Ti”, me këtë slogan organizatorët kanë bërë thirrje për të gjithë, që të dalin në mbrojtje të kombëtares kuqezi, të dinjitetit të Shqipërisë dhe në mbrojtje të drejtësisë. Protesta do të zhvillohet përpara selisë së UEFA-s.

Shkak, padyshim që është bërë vendimi shokues i organizmit më të lartë drejtues të futbollit europian, sipas të cilit Serbisë iu dha fitorja 3-0 në tavolinë, pavarësisht dhunës dhe thirrjeve diskriminuese ndaj shqiptarëve në stadiumin e Partizanit të Beogradit, e që shkaktoi indinjatë jo vetëm në opinionin shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar, transmeton Top Channel.

Beteja ligjore për të fituar drejtësinë në këtë çështje vazhdon, me apelimin e vendimit në Apelin e UEFA-s, e që më pas me të gjitha gjasat do të shkojë edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë.

Protesta në Nyon është organizuar nga Tifozët Kuqezi, kundër vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së UEFA-s, që jo vetëm diskriminoi dhe penalizoi shqiptarët, por favorizoi nga ana tjetër dhunën dhe racizmin e shprehur nga serbët në Beograd.