T’i themi jo qeverisjes arbitrare

(Fjala Kryetarit të LDK'së, Isa Mustafa, në hapjen e fushatës parazgjedhore në Prishtinë)

Lajme

04/10/2013 15:05

Të nderuar qytetarë të Prishtinës dhe të Kosovës!

Jam krenar dhe i privilegjuar që sot, së bashku me ju, të fillojmë rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një fitoreje të re – për ta vazhduar projektin e komunës sonë – një Prishtine moderne, shembull të synimit për Kosovën e së nesërmes.

Po e nisim pikërisht këtu -këtë rrugë tonën- në Sheshin “Ibrahim Rugova”, për të dëshmuar se vizioni për Prishtinën dhe Kosovën është i bazuar mbi vlerat e qytetarit tonë dhe se lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e bëmë me arkitektin e shtetësisë sonë, Presidentin Rugova. Po e nisim rrugëtimin drejt fitores në këtë shesh, për ta dëshmuar fuqinë e mendjes së Presidentit Rugova, për ta bërë lirinë më domëthënëse, pavarësinë më të plotë e të fuqishme dhe demokracinë për të gjithë.  Këtu po e nderojmë sakrificën e brezave të tërë të Kosovës!

II.

Të dashur qytetarë,

Unë besoj në qytetarin e komunës së Prishtinës! Në vullnetin dhe dëshirën e secilit prej jush – të rinj, burra e gra – dhe edhe në ju – që me moshën tuaj bartni me vete vazhdimësinë e përvojës së kryeqendrës, besoj në ju intelektualë, punëtorë e bujqër, në të gjithë ju që kërkoni ta ndiqni rrugën e zhvillimit dhe të përparimit për një qytet, një komunë dhe një shtet që vendos bazat dhe themelin në ligj, në drejtësi, në përparim dhe begati.

Ne po ecim përpara, sepse ju po e riafirmoni shpirtin triumfues mbi shumë probleme dhe vështirësi, shpirt i cili krijon besim dhe shpresë që çdo njeri t’i realizojë ëndrrat e veta. Ne jemi një familje e madhe dhe e përkushtuar për shtetin, kombin dhe për çdo njeri. Jemi familje që beson e familje që i besojnë.

Po kërkojmë mundësinë e udhëheqjes së komunës së Prishtinës – për të gjithë – për të dëshmuar se projektet tona janë projekte të zhvillimit të të gjithë komunës dhe projekte që ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Ky shesh është një prej tyre dhe janë më qindra kilometra rrugë të asfaltuara, 24 shkolla të reja për 4 vite, 40 fusha sportive, shumë qendra të mjekësisë familjare dhe ambulance, parqe dhe sipërfaqe të reja të gjelbëruara; projekte të përkrahjes së bujqësisë dhe ekonomisë së vogël e të krijimtarisë kulturore të  të rinjëve, biblioteka, 200 banesa për rasre sociale dhe veteran, invalid të luftës e familje të dëshmorëve, projekti i ujit dhe i ngrohjes së qytetit. Është punuar në çdo cep të qytetit dhe të komunës. Dhe këtu nuk ka përfunduar cdo gjë! Projekti për Prishtinën urbane – moderne dhe të zhvilluar po bëhet bashkë me ju! Me qytetarin e kësaj komune!

Prishtina është shndërruar tani në pikëtakimin e kulturave të ndryshme që bashkëjetojnë;  është e dashur për të huajt, tërheqëse për artistët dhe atraktive për investime. Prishtina vazhdon të rritet pakufi, sepse kjo është rritje e Kosovës që nuk mund ta ndal askush, e aq më pak LDK-në që më 3 Nëntor do të dal forca e vetme e besueshme e qytetarëve të Kosovës.

Më keni dhënë besimin mua dhe LDK-së, për të udhëhequr me komunën më të madhe në Kosovë dhe kryeqendrën e saj. Me besimin tuaj kemi arritur ta ndryshojmë pamjen e qytetit dhe të gjithë komunës. Me vullnetin tuaj e kemi bërë komunën tonë model të zhvillimit për gjithë Kosovën. Kam punuar me njerëz të mirë dhe të përkushtuar, të mbushur me ideale, i përkrahur nga familja ime dhe miqtë e mij.  Por kjo nuk është gjithcka që mund të bëjmë! Ne mund dhe do të bëjmë edhe më shumë!

 

III.

Sot, dua të shpalos me ju vizionin ambicioz për komunën e Prishtinës dhe për të gjithë vendin. Një plan që do ta shndërrojë komunën e Prishtinës në shembullin e zhvillimit të vendit, një plan që do të bazohet në shpirtin tuaj të pasur dhe përplot vullnet. Në kreativitetin dhe pasionin tuaj jo vetëm për Prishtinën por edhe për Kosovën.

Unë kam takuar shume te rinj e te reja, kam dërgjuar përcaktimin dhe zërin e të rinjëve, atyre që janë e nesërmja jonë.

Dhe unë ju premtoj juve qytetarëve të mij, se do të vazhdoj të punoj shumë që të përbushi pritjet dhe kërkesat tuaja.  Motivi im që të kandidoj për kryetar të Prishtinës ka qenë dhe është që të punoj për juve, qytetarëve të mij, fqinjëve të mij, miqëve, kolegëve e bashkëpunëtorëve,  të punoj për fëmijët tanë që aq shumë e meritojnë të ardhmen e gëzuar të tyre.

Unë besoj në qytetarin e Kosovës! Sepse e ardhmja jonë nuk mund të ndryshojë nëse ideali jonë për vendin tonë nuk shëndërrohet në pasionin tonë të përditshëm. Nuk po e kërkojmë vazhdimësinë e punës sonë në komunën e Prishtinës për të treguar pushtetin tonë – por,  për të përfunduar projektin madhor për Prishtinën, i cili bazohet në përparim.

Nuk e kërkojmë mbështetjen tuaj për të treguar fuqinë tonë – por për të dëshmuar se ne mund ta bëjmë: një shkollim modern në komunë – me më shumë qendra edukative dhe shkolla, me më pak nxënës në klasa, me më pak turne gjatë ditës, me më shumë cilësi; një sistem edhe më efektiv të mjekësisë; një bujqësi të zhvilluar që do të ofrojë prodhimin tonë vendor në sofrën tonë. Por mbi të gjitha – ne duam të dëshmojmë se Prishtina do të jetë qytet me ujë – 24 orë. Një qytet me drita – 24 orë! Një qytet me trafik të mirë urban! Një qytet me gjelbërim! Një qytet pa dallime të thella nga njëri në cepin tjetër! Një qytet me jetë e gjallëri dhe i sigurt!

E kërkoj përkrahjen tuaj për t’i dhënë komunës pamjen e një komune të zhvilluar që secilit qytetar i ofron mundësi më shumë. Një mundësi për një jetë më të begatë dhe më të qetë. Një mundësi për ta formësuar fëmijërinë dhe për ta zhvilluar rininë. Një mundësi më shumë për gjeneratat e reja që do të na gjykojnë për punën dhe përgjegjësinë tonë.

Jemi në shërbim tuaj dhe dua që ju të ndjeheni krenarë për udhëheqjen tonë në vitet që kaluan por edhe për vitet në vijim. Të jeni krenarë për votën që na keni besuar – sepse udhëheqja me komunën dhe pse jo nesër me Kosovën është një privilegj i madh! Nuk ka qenë e lehtë në këto vite dhe as që do të jetë më e lehtë tani. Por ne kemi fuqinë dhe kurajon për të ndryshuar të tashmen dhe guximin për të marrë edhe vendime të rënda.

Sot, kërkoj votën dhe besimin tuaj për Prishtinën, e kërkoj për kandidatët tanë për kryetarë të komunave që janë këtu sot së bashku me ne. Fitorja jonë është fitore e qytetarëve të Kosovës. Sot i fitojmë komunat e nesër Kosovën.

SOT KOMUNA NESËR KOSOVA!

IV.

Ajo që ne duam sot është vendosja e një standardi të zgjedhjeve. Një standardi evropian ku nuk do të cënohet vota e asnjë qytetari dhe ku do të ketë rregull dhe rend. Duam që këto zgjedhje të jenë të lira dhe demokratike, zgjedhje që do të jenë shembull për transparencën dhe mënyrën e organizimit të tyre. Duam garanca që vota nuk do të shërbejë si mjet i shitje-blerjes por si një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarit të Kosovës. Duam që zgjedhjet të jenë të drejta dhe të ndershme.

Ne do të jemi fuqia e ndryshimeve pozitive në vend – që nuk përjashton, por bashkon për të mirën e vendit, që nuk përjashton, por ndihmon për të mirën e vendit. Zgjedhjet për ne do të jenë mundësi për të shpalosur projektin tonë për qytetarin e komunës dhe të Kosovës, një projekt madhor për një qeverisje të drejtë.

Dhe këto zgjedhje janë testi më i madh i pjekurisë sonë politike dhe test i demokracisë!

Këto do të jenë zgjedhje që do t’i paraprijnë zgjedhjeve të përgjithshme – që do të ndryshojnë pamjen e Kosovës sot, të një imazhi të rëndë në botë, të pashpresë dhe të përulur. Janë zgjedhje që do të ndalin rrënimin e shtetësisë.

Unë besoj në ju qytetarë të Republikës së Kosovës! Në forcën dhe mençurinë tuaj për të përzgjedhur vizionin tone. Vizionin e LDK-së, për një Kosovë më të mirë dhe të pasur, një Kosovë që udhëhiqet nga njerëz me shpirt të pastër dhe ideal për ndërtimin e shtetit.

Këto zgjedhje do të jenë mundësia e madhe e shtetit të Kosovës që të ruaj tërësinë e saj dhe t’i bëjë të gjithë qytetarët, në cdo cep të tij, të barabartë dhe pjesë të shoqërisë së tij.

Përgjegjësinë për shtetin e kemi të gjithë barabartë, por përgjegjësinë për shtetin e pandarë dhe të patjetërsuar. Për shtetin ku do të sundojë rendi dhe ligji. Për shtetin ku nuk ka nivele të ndryshme të trajtimit të qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Përgjegjësinë dhe benifitet e shtetit nuk mund ta ketë vetëm një klasë e privilegjuar e udhëheqësve, sepse Kosova nuk është pronë e askujt. Ajo është e qytetarëve të saj – që jetojnë në të pa dallim.  Ne duam të arritura dhe përparim për të gjithë dhe jo vetëm për disa.

Si parti e qendres së djathtë, parti e vetme anëtare  në familjen e partive popullore evropiane, do të shfrytëzojmë standardet më të larta evropiane në ndërtimin e vendit tone por edhe do të përpiqemi që problemet kosovare  t’i zgjidhim me përpjekje kosovare.

Ne kemi forcën për të ndryshuar Kosovën. Për ta bërë vend të dinjitetshëm dhe të respektuar në rajon.  Ky shtet i dinjitetshëm, i barabartë me të gjitha shtetet e tjera jo vetëm në rajon, duhet të ndërtohet prej brenda me fuqinë e të gjithë neve së bashku, me dijen dhe përkushtimin tonë, pa kompromise të dhimbshme dhe pa cënim të asnjë pjese të territorit të tij.

V.

Të dashur qytetarë,

Oferta jonë për juve, kudo, në çdo pjesë të vendit, është shumë e drejtpërdrejt: siguri, punësim, zhvillim ekonomik. .

Prandaj këto zgjedhje janë zgjedhje të vendimit të madh për ndryshime në shoqërinë tonë. Ndryshime që na duhen për të mundësuar ecjen përpara të shoqërisë sonë dhe përparimin e përgjithshëm. Ndryshimet që ju dhe ne së bashku i kërkojmë sot janë ndryshime që do ta bëjnë Kosovën më të mirë.

Ka ardhur koha që të vendoset shteti i së drejtës ku lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të ketë dhënë sukses dhe ku ata që janë përgjegjës të përgjigjen përpara drejtësisë.  Ka ardhur koha për ndryshime – kur Kosova do të bëhet pjesë e lëvizjes së lirë të qytetarëve në vendet e BE-së, pa qenë vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Ka ardhur koha për ndryshime – për të hapur rrugën tonë drejt integrimeve evropiane.

Por këto ndryshime nuk ndodhin pa ju, qytetarë të Republikës së Kosovës. Ju jeni forca shtytëse e ndryshimeve – ju jeni ata që çmoni dhe nderoni sinqeritetin dhe punën tonë dhe ju jeni po ata që vendosni për fatin e secilit politikan duke e dënuar për mos punën ose keqpërdorimin.

Kosova meriton më shumë se sa ka sot! Ajo e meriton një klasë më të përgjegjshme dhe më llogaridhënëse të udhëheqjes.

Unë jam me ju pikërisht në kohën kur na duhet kjo rilindje – ringritje e shtetit tonë  – e që do të bëhet së bashku me ju – hap pas hapi! Unë jam me ju në kohën kur shtetit i duhet forca e ndryshimit!  Jam me ju ditën e votimeve;

–          Atë ditë do t’i themi jo qeverisjes arbitrare;

–          Do t’u themi jo shkelësve të ligjit;

–          Do t’u themi jo premtimeve boshe.

Me 3 Nëntor do të konfirmojmë se ne duam :

–           Kosovën ku prioritet i parë do të jetë zhvillimi ekonomik dhe punësimi;

–          Kosovën me qeverisje të mirë;

–          Kosovën pa korrupsion, me sistem të fortë të drejtësisë dhe gjyqësisë;

–          Kosovën, që ushtron pushtetin dhe sovranitetin në tërë territorin e saj;

–          Kosovën e zhvilluar e të sigurt, e dalë nga izolimi, anëtare e Bashkimit Evropian, Kosovën që vazhdon miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

–          Duam një Kosovë në të cilën pushteti i përkushtohet qytetarit.

Prandaj jam me ju qytetarë të Republikës së Kosovës, dhe besoj në ju fuqishëm se ndryshimin e kërkuar do ta gjeni dhe do ta vendosni vetë. Fuqia juaj për të ndryshuar historinë e këtij vendi, do të admirohet nga gjeneratat e ardhshme, të cilave nuk guxojmë t’u lëmë çështjet e hapura dhe një vend të thelluar në krizë.

Ju do të vendosni.

Ne ju besojmë!

Zoti i bekoftë qytetarët e Prishtinës dhe qytetarët e Kosovës,

Zoti i bekoftë bashkatdhetarët tanë në shtetet perendimore që pakursyer ndihmuan Kosovën!