Thyhet ngërçi në Shqipëri, PD kthehet në Kuvend

Opozita është rikthyer në Kuvend duke i dhënë fund bojkotit gjashtëmujor dhe skenarit të Sali Berishës për të djegur mandatet. Vendimi u mor dje pas një dileme të gjatë. Pas një serie takimesh të dështuara, marrëveshja mes PS-së dhe PD-së u arrit pak para mesnate.

Lajme

24/12/2014 10:45

Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), i ka dhënë fund bojkotit të Kuvendit të Shqipërisë, pas afër 6 muajve,pas arritjes së marrëveshjes me Partinë Socialiste (PS).

PD dhe PS firmosën marrëveshjen e ofruar nga Parlamenti Europian, në takimin e dytë të grupit negociator, që zgjati për rreth 40 minuta. I deleguari i PS-së Talunt Balla në një prononcim për gazetën “Shekulli” tha se opozita pranoi të firmoste draft marrëveshjen e propozuar nga negociatorët Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn pa asnjë ndryshim.

“Opozita është tërhequr nga kërkesat e mëparshme dhe ka firmosur pa kushte draft rezolutën e propozuar nga europarlamentarët”, tha Balla.

Nga ana e tij përfaqësuesi i PD-së në negociata, Genc Polli pohoi se marrëveshja u nënshkrua dhe se nesër pritet të votohet dhe nga opozita.

“Arritëm një marrëveshje paraprake me mazhorancën dhe presim që nesër në seancën plenare të themi fjalën e fundit”, tha shkurt Genc Pollo pas takimit maratonë.

Disa minuta më pas Pollo postoi në Facebook dhe një status, duke sqaruar dhe pikat e marrëveshjes të nënshkruar. “E nënshkruam marrëveshjen. Dekriminalizim i Kuvendit dhe administratës si dhe jo më shumicë 3/5 pa opozitën”, shkruan Pollo.

Firmosja e marrëveshjes rifut në Parlament Partinë Demokratike e cila e ka braktisur atë prej muajit korrik, duke pretenduar se kushtet shtesë të saj u pranuan nga shumica. Gjatë ditës dje palët dhanë dakordësinë për të punuar bashkë për rezolutën e përbashkët të hartuar nga dy eurodeputetët që ndërmjetësuan për zgjidhjen e krizës politike në vend, por pas diskutimeve ky draft u firmos nga deputetët Taulant Balla dhe Petrit Vasili.