Thyhen zyrat e RTV Mitrovica

Persona të panjohur kanë thyer për të tretën herë brenda një kohe të shkurtër zyrat e RTV Mitrovica, me ç’rast kanë vjedhur dy kamera dhe pajisje tjera.

Lajme

09/03/2014 09:09

Për të tretën herë brenda një kohe të shkurtër thyhen  zyrat e RTV Mitrovica.

Ngjarja ka ndodhur natën mes ditës së premte dhe të shtunës në Mitrovicë.

RTV Mitrovica përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se persona ende të paidentifikuar dhunuan lokalet e RTV Mitrovica, me ç’rast me mjete të forta thyen dyer e orendi dhe vodhën kamerat bashkë me pajisje tjera të televizionit.

“Këto pajisje mund të përdoren vetëm nga televizionet dhe produksionet profesionale, andaj luten kolegët nga televizionet tjera në Kosovë dhe jashtë saj që në rast se joshën për të blerë këto paisje nga hajnat që i vodhën ato, të lajmërojnë RTV Mitrovicën apo policinë”, thuhet më këtë njoftim.