Thohir konfirmon Mazzarrin

Walter Mazzarri do të jetë trajner i Interit edhe në edicionin e ri. Presidenti i klubit, Erick Thohir ka konfirmuar strategun në detyrë e madje nuk përjashtohet mundësia e vazhdimit të qëndrimit të tij në kontratë afatgjate.

Sport

18/04/2014 12:48

Presidenti i Interit, Erick Thohir ka ide të qarta.

Ai dëshiron të konfirmojë Walter Mazzarrin në postin e trajnerit edhe për sezonin e ri, pavarësisht bilancit përfundimtar të këtij edicioni që sipas gjitha gjasave do ta dërgojë ekipin në Europa League, por pa asnjë titull të fituar, raporton Corriere dello Sport.

Përveç konfirmimit në detyrë për edicionin e ardhshëm, nuk përjashtohet mundësia që Thohir t’i ofrojë Mazzarrit marrëveshje të re deri në verën e vitit 2017.

Thohir ka vendosur t’i jep kohë projektit të tij të cilin e nisi duke u bërë aksionari kryesor i gjigantit milanez dhe pasi zëvendësoi Massimo Morattin në postin e presidentit të klubit.

Mes tij dhe Mazzarrit ekziston një respekt reciprok. Nga viti i ardhshëm, Mazzarri do të përfitojë 3.8 milionë euro në vit, bazë e cila shërben si pikënisje për të diskutuar për të ardhmen e tij me Nerazzurrët.