Thjeshtësia e ndërlikuar shqiptare

Nuk na duhet gjë më simbolika dhe valëvitja e flamurit, kërcimi i valleve dhe deklarimi i zjarrtë. Duhet t’i bëjmë punët tona. Kaq e thjeshtë është.

Opinion

15/01/2014 10:05

Çorodia politike, e cila është drejtimi gjithsesi mbizotërues në politikën shqiptare (rreth saj jemi ‘të gjithë të përbashkuar’), çon te këto konkludime, në interpretimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe të Mbledhjes së parë të Qeverive të dy shteteve në Prizren, me 11 janar.

Pra: Të bëhet takimi midis Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë është keq. Të mos bëhet takimi i dy Qeverive është keq. Të ketë përafrim dhe përlargim në këtë relacion është njëlloj keq. Të ketë Marrëveshje dhe dakordim të shkruar është keq, njësoj, sikur edhe të mos ketë Marrëveshje.

Çkado që të bëhet, pra, nuk del me tamam, me masë, e drejtë, e mirë.

Derisa bëhen interpretimet nga më të shumëllojshmet për Mbledhjen e Prizrenit, mbeten anash çështjet fare konkrete që dëshmojnë që tej fjalëve të zhurmshme dhe patetikës kinse patriotike që përcillet me ‘xhamadanin vija-vija’, këto dy shtete përballen me probleme krejtësisht të dukshme, dhe atë në tri rrafshe:

Së pari, në relacionet në mes vete, të cilat nuk shkojnë vaj (dhe as që kanë shkuar ndonjëherë, duhet shtuar këtu) dhe që tutje njohin episodat tragji-komike me patatet e Kosovës dhe me librat e Shqipërisë, që tatimohen tej çdo mase.

Së dyti, në marrëdhëniet me shtetet fqinje, në këtë kontekstin rajonal, i cili ka peshën e vet të veçantë në mësymjen e Kosovës dhe të Shqipërisë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian.

Së treti, në drejtimin themelor perëndimor të Kosovës dhe Shqipërisë, që njeh Brukselin si kryeqendër politike, ekonomike dhe të sigurisë për këto dy shtete.

Aktualisht pra, nuk ka stabilitet të mirëfilltë politik dhe ekonomik në Kosovë dhe në Shqipëri, në rastin e Kosovës, madje, dihet që Kosova mbetet shtet i papërmbyllur  (diç e tillë ndodh vetëm pas anëtarësimit të Kosovës në OKB).

Në rrethanat e tanishme, mbi të gjitha për shkak të situatës së njohur në relacionet e Prishtinës dhe Beogradit, nuk ka marrë trajtë finale pozita e Kosovës në rajon, dhe po ashtu, këto dy shtete, Kosova dhe Shqipëria, nuk kanë arritur të imponohen si faktor i dorës së parë në kontekstin rajonal.

Më në fund, Shqipëria dhe Kosova janë në bisht të ndërmarrjes së madhe rajonale të integrimit në BE, në mesin e gjashtë shteteve të mbetura që janë në ‘Listë të pritjes’ për t’u bërë anëtarët 29-të deri 35-të të BE-së.

Pra, ka për çka të flitet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë dhe ka për çka të bëhet marrëveshje.

Por, nuk ka asnjë arsye që substanca e këtij relacion t’i nënshtrohet simbolikës si të tillë, e cila njohu fjalë që përsëriteshin si në një pllakë të prishur gramafoni, për takimin e parë të këtyre dy qeverive në 101 vitet e fundit  (thuajse Kosova ka pasur Qeveri të mirëfilltë para shkurtit të vitit 2008, kur u shpall pavarësia), dhe atë të aktit të nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të dy qeverive para Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, thuajse në këtë mënyrë po mëkëmbet Projekti i Parë shqiptar i krijimit të një shteti të përbashkët të kombit shqiptar.

Nuk është ky viti 1878. Nuk ka gjë të përbashkët e tëra kjo ngjarje me atë ndërmarrjen e madhe kombëtare. Nuk na duhet gjë më simbolika dhe valëvitja e flamurit, kërcimi i valleve dhe deklarimi i zjarrtë. Nuk kemi nevojë për ndonjë fillim të ri, sepse jemi dërrmuar prej tyre. Na duhet përfundimi, përmbyllja e punëve që kanë nisur në Kosovë në vitin 1989, dhe në Shqipëri në vitin 1990, kur dolëm fitues të Luftës së Ftohtë, duke i zhbërë humbjet në ato luftërat e mëparme të karakterit botëror.

Jemi në janarin e vitit 2014, dhe dihet fare mirë se çka kërkohet, prej Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Dihet se çka presin qytetarët e dy shteteve, çka kërkojnë Washingtoni dhe Brukseli prej këtyre dy qeverive.

Asnjë simbolikë e mundshme në këtë aspekt nuk mund të përdoret si letër me vlerë që mbulon dështimet evidente politike dhe ekonomike të Kosovës dhe Shqipërisë.

Prej mendjeve të kthjellëta shqiptare, me vend jemi cilësuar si komb i vonuar, në fillim të Shekullit XX, në fillim të këtij shekulli (XXI) dhe sot e kësaj dite.

Megjithatë, kah duhet të ecim si komb, si shtete, si shoqëri, është fare e qartë.

Nuk kemi çka të zbulojmë më. Nuk kemi ku të kthehemi, as në vitin 1878, as kurdo tjetër.

Duhet t’i bëjmë punët tona. Kaq e thjeshtë është.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)