Thirrje për Listën Serbe

Qeveria e Serbisë po mbështet hapur Listën Serbe, duke marrë pjesë edhe me Ministra në tubimet e kësaj Liste. Aleksandër Vulin po u thotë serbëve se nëse duan të mos i shkëpusin lidhjet me Serbinë, atëherë duhet të votojnë për këtë Listë.

Lajme

13/10/2013 13:22

Qeveria e Serbisë është përfshirë aktivisht në fushatën zgjedhore në Kosovë, për zgjedhjet e 3 nëntorit, duke bërë fushatë të hapur për Listën Serbe.

Ministri pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, ka qëndruar në Kllokot, komunë kjo e re e formuar sipas planit Ahtisaari, ku u ka bërë thirrje serbëve që të votojnë për Listën Serbe, e cila ai ka thënë se ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë.

Siç raporton agjencia e lajmeve ‘Beta’, rreth 2 mijë veta kanë marrë pjesë në këtë tubim parazgjedhor, në të cilin Vulin u ka bërë thirrje serbëve që ta votojnë Listën Qytetare Serbe, sepse, në mënyrë të tillë, sipas tij, ata nuk do t’i shkëpusin lidhjet me Serbinë.

“Kur thua ‘(Lista) Serbe’, mendon në Bashkësinë e Komunave Serbe në të cilën nuk do ta ketë ndarje andej dhe këndej lumit Ibër, mendon në Bashkësinë në të cilën Serbia ka marrë përgjegjësitë e veta”.

“Ndihmojeni Serbinë, sepse Serbinë në Kosovë e Metohi mund ta ndihmojnë vetëm serbët”.

Kryetari i Iniciativës Qytetare Serbe, Vladeta Kostic, ka thënë në këtë tubim se zgjedhjet lokale mundësojnë themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, për të cilën janë marrë vesh në prill të këtij viti Kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Dacic në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

“Dje në Shtërpcë, sot në Kllokot, nesër në Graçanicë, të gjithë kemi të njëjtën detyrë. Së bashku ua shtrojmë fëmijëve tanë rrugën për një të ardhme më të mirë.”

Vulin sot do të qëndrojë në Gorazhdevc, pastaj në  Manastirin e Hilandarit edhe Patrikanen e Pejës.