Thirrja për luftë në rrjetet sociale

“Eja në kalifat”, “Përkraheni xhihadin” e “Luftë Perëndimit”. Me këto fjalë, grupet ekstremiste po synojnë që të bindin qytetarët që të bëhen pjesë e luftërave në Siri e Irak.

Lajme

19/01/2018 14:06

Për të bindur qytetarët që të marrin pjesë në luftë, po ndihmojnë edhe disa nga imamët.

Ndikimi që kanë në xhami duket se nuk po u mjafon. Tashmë kanë filluar që ta shtrijnë edhe në rrjetet sociale.

Facebook e You Tube janë platformat kryesore që po përdoren nga grupet ekstremiste dhe imamët për t’i bindur qytetarët që tu bashkohen luftërave.

“Platformat më të përdoruara nga rekrutuesit dhe ekstremistët e dhunshëm në vendet shqipfolëse janë Facebook dhe Youtube’.

Kështu thuhet në raportin  “FUSHËBETEJAT E REJA: Aktiviteti i grupeve ekstremiste në rrjetet sociale në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, që ka publikuar Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSG), shkruan Gazeta Fjala.

Thirrje për xhihad, përkrahje për xhihadistët në Siri, fjalime të urrejtjes,  materiale kundër ideologjive të shteteve të ndryshme dhe përkrahje për sulmet terroriste, janë materialet që shpërndahen nga imamët dhe grupet ekstremiste në këto platforma.

Për ndikimin  e imamëve në rrjetet sociale, tregon edhe numri i pëlqimeve dhe ndjekësve në faqet e tyre. Madje, Rexhep Memishi, imam nga Shkupi ka më shumë ndjekës edhe se Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Duket se përdorimi në masë të madhe i Facebook-ut, po ua lehtëson punën atyre për shpërndarjen e këtyre thirrjeve.

“Profilet individuale të ekstremistëve të dhunshëm mbështetjen më të madhe e kanë për imamët e dënuar për vepra terroriste lidhur me rekrutimin e pjesëmarrësve në Kosovë, Shqipëri dhe IRJM. Në anën tjetër, këta mbështetës të imamëve të dënuar nuk pajtohen dhe propagandojnë kundër imamëve që zyrtarisht janë pjesë e Bashkësive Islame të Kosovës, Shqipërisë dhe IRJM-së”, thuhet në raportin e publikuar nga QKSG-ja, shkruan Gazeta Fjala.

800 mijë përdorues të Facebook-ut në Kosovë

Në bazë të raportit të publikuar nga QKSG-ja, janë më se 800 mijë përdorues të Facebook-ut në Kosovë, 1 milionë e 400 mijë përdorues në Shqipëri dhe 1 milionë në Maqedoni.

Përmes Facebook-ut, pjesëtarët e ISIS-it raportojnë drejtpërdrejt nga fushëbetejat. Madje edhe ata që janë kthyer nga lufta, “kontributin” e tyre vazhdojnë ta dhënë duke shpërndarë materialet e këtyre faqeve.

“Gjatë kësaj analize është parë që edhe disa prej atyre që janë kthyer nga konflikti i Sirisë dhe Irakut, vazhdojnë të shpërndajnë materialet e këtyre faqeve dhe profileve”, thuhet në raport.

Rexhep Memishi, Zeqirja Qazimi, Shukri Aliu dhe Abdurrahman Balla. Këta janë imamët me më së shumti pëlqime dhe ndjekës në rrjetin social Facebook, sipas raportit të QKSG-së.

Materiale nga lufta në ISIS publikohen edhe në faqe si “Islami është hak”, “Bota Islame” e “Ummeti i Teuhidit”, që kanë numër të madh të ndjekësve.

Përmes këtyre faqeve ata promovojnë ekstremizmin e dhunshëm dhe aktivitetet të xhihadistëve, sidomos kur ka sulme terroriste.

“Aktiviteti i faqeve të këtilla shtohet kur ndodhin sulme terroriste në botë -me postime të ndryshme në përkrahje të atyre sulmeve. Kjo është vërejtur edhe gjatë sulmeve në muajin maj dhe qershor të vitit 2017 në Angli, gjegjësisht sulmet në koncertin e Manchester dhe në sulmin tjetër faqeve në Facebook i ofronin mbështetje sulmuesve”.

58 kosovarë të vrarë në luftërat në Siri e Irak

Për pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat në Siri dhe Irak, kishte dalë më raport edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Sipas raportit të DASH-it, rreth 315 luftëtarë terroristë nga Kosova kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar me grupet ekstremiste Shteti Islamik dhe Fronti al-Nusrah – 58 prej të cilëve janë vrarë.

Se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik është në rritje në Kosovë dhe që pjesërisht financohet nga organizata të huaja që predikojnë ideologji ekstremiste, janë disa nga të gjeturat e këtij raporti.

Raporti thekson se Qeveria e Kosovës ka vazhduar bashkëpunimin anti-terrorizëm me Shtetet e Bashkuara, ndërsa këto të fundit i kanë ndihmuar institucionet e zbatimit të ligjit dhe institucionet gjyqësore në raste aktive kundër terrorizmit.

“Qeveria e Kosovës është duke zbatuar një strategji gjithëpërfshirëse dhe plan veprimi kundër ekstremizmit të dhunshëm. Drejtoria Anti-Terrorizëm e Policisë së Kosovës është duke rritur kapacitetet e saj hetuese me rritje të personelit dhe zhvillim të njësisë kibernetike kundër terrorizmit”, thuhet në raportin e DASH-it.

Ndryshe, rezultatet e raportit të QKSG kanë ardhur pas analizimit të mbi 60 faqeve dhe mbi 150 profileve individuale në Facebook.