Thirrja për arbitra ndërkombëtarë të cilëve nuk u besojmë

 Ne thërrasim për ndihmë Ambasadën e SHBA-së dhe instancat tjera ndërkombëtare në të fillimin e lëmshit që thuaja gjithmonë është ‘prodhim vendor’, por si politikë kosovare, gjithnjë e më pak i zëmë besë SHBA-së dhe BE-së.

Opinion

24/11/2016 13:53

Blerim Shala

Hap pas hapi, rast pas rasti, ngjarje pas ngjarje, politika kosovare po kallëzohet mosbesuese ndaj vetes, ndaj aftësisë për t’i adresuar dhe zgjidhur problemet me të cilat po ballafaqohet Kosova si shtet, së bashku me të gjitha instancat e krijuara dhe të autorizuara për tu marrë me udhëheqjen e këtij shteti.

Derisa në atë periudhën para shtatorit të vitit 2012-të, kur Kuvendi i Kosovës i dha fund periudhës së Mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, kishim një mësymje, jorrallë edhe të përshpejtuar, të të gjithë neve për të treguar që të gjitha përgjegjësitë duhet të na takojnë neve si politikë, tash e një vit, kemi një dukuri të anasjelltë, kur ne jemi gjithnjë e më të gatshëm të thërrasim ndërkombëtarët për të na e ‘pastruar oborrin’.

Së pari, ishte (dhe mbeti, sot e kësaj dite), tema e Marrëveshjes për vijëzimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Pamundësia për të gjetë gjuhën e përbashët  (shqipe, natyrisht), në trajtimin e kësaj çështjeje, së pari brenda vetë koalicionit qeverisës, e pastaj, edhe në relacionin midis qeverisë dhe opozitës, tash e nëntë muaj, po çon gjithnjë e më shumë në konkludim që duhet përdorë arbitrimin ndërkombëtarë si mekanizëm për zbardhjen e kësaj teme që nxiu me të madhe politikën kosovare dhe la pa liberalizimin e vizave gati dy milionë qytetarë të Kosovës.

Kështu vet ne po tregohemi që nuk jemi në gjendje ta zgjidhim si duhet një çështje madhore të një shteti, çfarë është shenjimi i kufirit me shtetet fqinje.

Së dyti, pak muaj më parë, kryemrat e Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Mustafa dhe Kryetari i Kuvendit, Veseli, kërkuan publikisht mbështetjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë, për të bërë përzgjedhjen e duhur të anëtarëve të Bordeve të kompanive publike të Kosovës. Politizimi i kësaj ndërmarrjeje, dhe mbi të gjitha, (sërish), mosbesimi që ne mund t’i bëjmë vetë si duhet punët tona, ka bërë që shpëtimi të kërkohet në angazhimin, tashmë të kontraktuar, të një kompanie angleze në seleksionimin fillestar të kandidatëve për bordet e kompanive publike.

Së treti,  javën e shkuar, edhe një herë për shkak të dyshimeve të thelluara në ekspertizën vendore, në kuadër të hetimit të rastit gjithsesi tragjik të Astrit Deharit, Dhurata Hoxha, Ministre e drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, kërkoi përfshirjen zyrtare të autoriteteve hetimore britanike në këtë rast. Nuk do mend që rrumbullakësimi i plotë i hetimeve këtu është interes i politikës kosovare por edhe i të gjithë qytetarëve të vendit. Dihet që Ambasada e Britanisë së Madhe, së fundmi rekomandoi përfshirjen e EULEX-it në hetime, ndërsa një gjë e tillë, zatën, është e mundur kur dihet çfarë roli ka EULEX në Kosovë dhe duke pasë parasysh Marrëveshjen e qershorit të këtij viti midis Qeverisë së Kosovës dhe BE-së për asistencën e EULEX-it në rastet e ndishme, çfarë gjithsesi është ky i Astrit Deharit.

Megjithatë, është një tjetër aspekt, sërish paradoksal, që ndërlidhet me këtë situatën  (parimisht paradoksale), të atmosferës së mosbesimit tonë në institucionet që i kemi krijuar prej vitit 1999-të e këndej. Derisa jemi në gjendje me të shpejtë, pa menduar gjatë, të thërrasim për ndihmë së pari Ambasadën e SHBA-së, pastaj edhe instancat tjera ndërkombëtare në tëfillimin e lëmshit që thuaja gjithmonë është ‘prodhim vendor’, ne, në realitet, si politikë kosovare, gjithnjë e më pak i zëmë besë SHBA-së  (e ditë e natë thirremi në dashurinë për Amerikën dhe në miqësinë e përjetshme të Kosovës me Amerikën), dhe BE-së. Dihet që deklaratat me shkrim dhe prononcimet verbale të Ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie-së, për shumë çështje të rëndësishme në politikën kosovare, nuk po bëjnë punë më në politikën kosovare. Diçka e tillë ka qenë e paimagjinueshme vetëm dy-tre vjet më parë. E kundërta po ndodhë në Shqipëri, ku kemi në vitin e fundit, sidomos, një rol të shtuar dhe të mirëpritur të Ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, dhe Shefes së Delegacionit të BE-së, diplomates kroate, Romana Vllahutin. Reforma në drejtësi nuk do të bëhej dot në Shqipëri vetëm prej politikanëve vendorë, sikur mos të ishin Lu dhe Vllahutin. Por për dallim prej Tiranës, këtu tek ne më as amerikanët më nuk po arrijnë të ndikojnë në politikën kosovare, gjë që u pa edhe me vizitat e John Kerry-ut dhe Josehp Biden-it.