Thirrja jo demokratike

Nenad Rashiq nuk po pajtohet me mbështetjen e hapur të Qeverisë së Serbisë për Iniciativën Qytetare Serbe. Ai thotë se mbështetja duhet të jetë për të gjitha iniciativat – ‘sepse, në fund të fundit, të gjitha ato janë serbe”. Pret një garë të fortë mes serbëve

Lajme

16/10/2013 07:21

Ministri Nenad Rashiq nuk po pajtohet me ndërhyrjen e Qeverisë së Serbisë në procesin zgjedhor për zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë, përkatësisht me mbështetjen e pa rezervë që po i jepet nga zyrtarët e lartë serb Iniciativës Qytetare Serbe.

Kjo nuk është demokratike”, thotë për lajmi.net Rashiq, i cili mban pozitën e Ministrit të Punës dhe   Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës.

Do të ishte krejt normale, sipas tij, që Beogradi të kërkonte pjesëmarrjen sa më të madhe të serbëve në zgjedhjet e 3 nëntorit, por jo që të dalë hapur në përkrahje të një subjekti politik, në këtë rast të Iniciativës Qytetare Serbe.

“Edhe njëherë po e them se kjo nuk është demokratike. Me Marrëveshjen e fundit zyrtarët e Beogradit e kanë të lejuar vetëm thirrjen e serbëve që të dalin në zgjedhje, por duket se prapë do ta kemi problemin e njëjtë, siç e kemi pasur edhe më herët”.

“Thirrja e autoriteteve të Beogradit që serbët të dalin në mënyrë masive në zgjedhje është në rregull, por thirrja tjetër për ta votuar Listën Serbe nuk është demokratike”.

“Në këto zgjedhje lokale secila iniciativë apo cilido grup i njerëzve duhet të ketë rastin. Fakti që kemi 5 deri në 8 iniciativa nëpër komuna shumë të vogla është diçka e mirë, e që për hir të demokracisë, duhet stimuluar dhe jo të që dilet vetëm në përkrahje të iniciativave të caktuara”.

“Nëse kemi 8 iniciativa duhet të përkrahen të gjithat, sepse, në fund të fundit, të gjitha ato janë serbe”.

Qeveria e Serbisë nuk është përmbajtur nga përfshirja e saj në fushatën zgjedhore në Kosovë. Ministri pa Portofol i kësaj qeverie, Aleksandër Vulin, gjatë një vizite në Kosovë, ka bërë thirrje të hapur që të votohet Iniciativa Qytetare Serbe dhe kandidatët e saj.

Nenad Rashiq thotë se nuk e di saktësisht çfarë ka deklaruar Vulin, por pohon se nuk është në rregull që të kërkohet që të votohet për kandidatë të caktuar.

“Vizita sikurse ajo e zotit Vulin, i cili do të shkojë në Pejë, do të jetë një kombinim i vizitës zyrtare por edhe i fushatës”

“Pres që zyrtarët serb ta zbusin fjalorin të cilin e kanë përdorur deri tash, pasi nuk është reale që të vazhdojnë të bëjnë takime në nivelin politik vetëm me kandidatët e tyre të preferuar për zgjedhjet lokale”.

“Ata gjatë gjithë kohës i marrin kandidatët e tyre, dhe së bashku, vizitojnë vendet e ndryshme, prej nga dërgojnë mesazhe që të votohet për këta persona. Kjo nuk është mirë”.

Nenad Rashiq, i cili muaj më parë është ndarë nga Zëvendëskryeministri Slobodan Petrovic dhe ka braktisur Partinë e Pavarur Liberale Serbe, SLS, në këto zgjedhje garon me Iniciativën Qytetare “Ardhmëria e Përbashkët”.

Ai pret një garë të fortë mes iniciativave serbe, më 3 nëntor.

“Presim që serbët të dalin në zgjedhje në nivelin maksimal, për arsye se kemi shumë iniciativa të ndryshme. Çdo komunë ka prej 5 deri në 8 iniciativa serbe që po garojnë dhe kjo është gjë e mirë sepse në këtë formë ne po krijojmë një kualitet e po ashtu niveli i demokracisë është i duhur”.

“Nga ana tjetër, normalisht që dalja e serbëve në zgjedhje do të ketë ndikim, që me pjesëmarrje këtyre iniciativave, gara të jetë e forte”.