Thirrja Amerikane: Mos i shitni votat

Ambasadorja Amerikane, Tracey Ann Jacobson, thotë qartë se zgjedhjet e manipuluara, si ato që kanë ndodhur në të kaluarën, nuk do të pranohen. Ajo kërkon nga qytetarët që të mos bëhen pjesë e mashtrimeve.

Lajme

02/11/2013 09:40

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, thotë se zgjedhjet e 3 nëntorit janë vendimtare për fatin e Kosovës.

Ambasadorja Jacobson, në një intervistë për “Kosova Sot”, thotë qartë se zgjedhjet e manipuluara, si ato që kanë ndodhur në të kaluarën, nuk do të pranohen.

“Kjo porosi është jo vetëm për udhëheqësit politikë dhe për KQZ’në, por për të gjithë Kosovën. Të gjithë luajnë rolin e tyre për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta”.

“Tash jemi në një erë të re: nuk jemi më në kohën e vitit 2009 apo 2010. Kosova e ka përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë dhe ka filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, prandaj nëse dëshirojmë ta vazhdojmë këtë rrugë, atëherë këto zgjedhje duhet të jenë zgjedhje të mira”.

“Zgjedhjet e manipuluara, si ato që kanë ndodhur në të kaluarën, nuk do të pranohen për të shkuar përpara në rrugën europiane”.

“Kjo është mundësia e Kosovës për të demonstruar se është demokraci serioze e përkushtuar në rrugën europiane”.

Ambasadorja Jacobson, në vazhdim të intervistës për “Kosova Sot”, ka kërkuar nga qytetarët që të mos bëhen pjesë e mashtrimeve.

“U bie votuesve që t’i dallojnë rastet e mashtrimeve kur t’i shohin dhe t’i raportojnë ato që vetë ata të mos përfshihen në këtë mashtrim”.

“Në fund të fundit, personi që e shet votën është po ai i keq sa ai që e blen votën”.

“Është me rëndësi për të gjithë ata që janë të përfshirë në zgjedhje që të monitorojnë se çka po ndodh, por po ashtu është me rëndësi që vetë qytetarët ta marrin përgjegjësinë”.

“Nëse dikush e pyet një qytetar për t’ia blerë votën, ai person vetë duhet të vendosë: a ia vlen përfitimi afatshkurtër që e merr prej shitjes së votës sime që ta braktis demokracinë time, që ta braktis perspektivën evropiane të vendit? Ky është vendimi me të cilin përballemi këtu”.