Thërret që të votohet Lista Serbe

Aleksandar Vulin u ka bërë thirrje votuesve serbë që të votojnë Listën Serbe. Ai ka thënë se me Listën Serbe në qeverisje, do të mundësohet formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe të Kosovës në të cilën do të mundësohen investimi nga Qeveria e Serbisë.

Lajme

24/11/2013 09:50

Ministri pa Portofol i Qeverisë së Serbisë i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, e ka shfrytëzuar sërish për qëllime politike vizitën e tij të karakterit fetar në Kosovë.

Gjatë vizitës së tij në Manastirin e Deçanit, Vulin ka thënë se fitorja e kandidatëve të Iniciativës Qytetare “Lista Serbe” në balotazh, do të jetë e një rëndësie të veçantë, pasi që sipas tij, kjo është mënyra më e sigurt e formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.

“Për neve dhe shtetin serb, të gjithë serbët e Kosovës janë njëlloj, të dashur që ne i duan në mënyrë të barabartë. Por, duhet të themi se Lista Serbe, është më e afërt me neve”.

Vulin ka thënë se Serbia nuk ka shfrytëzuar asnjëherë ndihmën sociale ose pagat për të fituar vota. Por, sipas tij, Lista Serbe është politikisht më e përafërt dhe beson se do të mundësojë krijimin e kësaj bashkësie komune ashtu sic është planifikuar edhe me Marrëveshjen e Brukselit.

“Besojmë se Lista Serbe do të mundësojë që Bashkësia e Komunave Serbe të formohet në mënyrën e duhur dhe që e njëjta të mos jetë vetëm një organizatë joqeveritare, por të jetë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”.

“Në bazë të kësaj, kjo bashkësi do të funksionoi në atë mënyrë që Serbia të mund të vazhdojë financimin për një jetë më të mirë të serbëve në Kosovë”.

Tre Ministra të Serbisë po qëndrojnë në Kosovë

Ministri pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, e njëkohësisht i angazhuari i kësaj qeverie për çështjen e Kosovës, Aleksandar Vulin, bashkë me një delegacion qeveritar nga Serbia po qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.

Delegacioni i Qeverisë së Serbisë po merrë pjesë në një liturgji fetare në Manastirin e Deçanit.

Me këtë rast, Patriarku Irinej pritet që të dekorojë të ashtuquajturën “Zyrën për Kosovë dhe Metohi”, me dekoratën e nivelit të parë ‘Shën Sava i Parë’, që njihet si çmimi më i lartë që shpërndan Kisha Ortodokse Serbe.

Këtë mirënjohje do ta pranojë Vulin, i cili kishte shërbyer dikur si Drejtor i “Zyrës për Kosovë dhe Metohi”

Në këtë ceremoni që po zhvillohet në Manastirin e Deçanit, po marrin pjesë edhe përfaqësues të Listës Serbe dhe dy ministrat tjerë të Qeverisë së Serbisë, Ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Rodic dhe Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivan Mrkic.

Me këtë rast, pritet që të bëhet edhe inaugurimi i Konakut Prizreni në kompleksin e këtij Manastiri, njoftojnë mediat serbe.