Themelimi i Gjykatës Speciale i vështirë, por i drejtë

Zyrtari i lartë amerikan, Jonathan Moore thotë se SHBA-të mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Krijimi i Gjykatës së Posaçme, sipas tij, ishte një vendim i vështirë, por i drejtë.

Lajme

04/05/2014 11:57

Drejtori i zyrës për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se Washingtoni e mbështet transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Kosova është një vend sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtë të kujdeset për mbrojtjen e vet. Ne duam të shohim që Kosova një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Është një proces që do të dojë kohë\”.

“Pjesërisht, ai është një proces politik, sepse NATO duhet të ketë konsensus për këtë. Për fat të keq, katër anëtarë të NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran e të pavarur, dhe kjo është gjithashtu pjesë e strategjisë sonë.

“Çështja e FSK-së është duke u diskutuar në Kuvend këtë javë. Ajo është një çështje e rëndësishme dhe ne presim me padurim të shohim se si FSK-ja do të kthehet në Forcat e Armatosura të Kosovës”.

“Kjo çështje duhet të trajtohet në një mënyrë të kujdesshme, politikisht. Ka pikëpamje të partive të ndryshme politike, ka çështje të tjera që Kuvendi duhet të marrë në konsideratë dhe gjithashtu shohim që ekziston mundësia që Kuvendi së shpejti të mund të përfundojë punimet dhe të shkojë drejt zgjedhjeve”.

Moore ka folur edhe për krijimin e Gjykatës Speciale. Ai ka thënë se miratimi për  themelimin e kësaj gjykate nga ana e Kuvendit ishte një vendim i vështirë, por i drejtë.

Ne po i afrohemi gjithnjë e më tepër asaj pike dhe është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës votoi me 89 vota në favor për të mbështetur shkëmbim e letrave ndërmjet Catherine Ashton dhe Presidentes Jahjaga.

“Mbetet për t’u përcaktuar se kur do të zhvillohen zgjedhjet në Kosovë dhe kur Kuvendi i ri do të jetë në gjendje të merret me këtë çështje, por kjo është shumë e rëndësishme.

“Dhe për t\’iu përgjigjur pyetjes tuaj themelore: Po, absolutisht, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin që ky proces do të vazhdojë. Ne jemi shumë krenarë për këtë, për deputetët e Kuvendit. E dimë se ishte një vendim i vështirë, por ishte vendim i drejtë, ka thënë Moore për Zërin e Amerikës.