Thellohet përplasja mes Donald Lu dhe Adriatik Llallës

Pas deklaratave të Ambasadorit Donald Lu i cili e akuzoi “të korruptuar dhe që rrezikon burgun” vjen reagimi nga ish-kryeprokurori Adriatik Lalla.

Lajme

16/04/2018 13:15

Në një letër publike ai ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar ato si të pabaza.

“Unë hedh poshtë në mënyrë kategorike akuzat tinëzare për korrupsion të lëshuara kundër meje nga Ambasadori i SHBA-ve Donald Lu, gjatë javëve të fundit. Akuzat e Ambasadorit Lu janë pa bazë dhe do të provohen të pavërteta nëse do të paraqiten përpara çdo gjykate” – thotë Llalla.

Ai bën një parashtrim të gjatë ku thekson se ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë Reformën në Drejtësi në Shqipëri, por është kundër që ajo të vihet në interesa të disave. “Unë mbështes çdo reformë që i shërben interesave të popullit shqiptar duke garantuar një sistem të pavarur drejtësie dhe ndarje të pushteteve. Por unë jam kundër çdo përpjekjeje për ta vendosur drejtësinë shqiptare nën ndikimin e kujtdo—qeverisë, partive politike, oligarkëve, apo interesave kriminale dhe të biznesit” – thotë Llalla.

Ai mohon kategorikisht të të ketë ndërmarrë një hap apo veprim kundër reformës në drejtësi duke shtuar se “nuk ka abuzuar kurrë me detyrën dhe nuk është përfshrirë kurrë në veprime korruptive”.

“Sulmet personale të Ambasadorit Lu janë të papërgjegjshme dhe të papranueshme. Për mua është e vështirë të kuptoj se si një ambasador i huaj mund të pretendojë të ketë dijeni për një hetim të supozuar nga autoritetet e vendit pritës. Ambasadori Lu jo vetëm që e ka futur veten e tij në procese hetimore vendase, por ai i ka dhënë vetes të drejtën të sillet si prokuror, gjykatës dhe juri duke shpallur publikisht se unë jam nën hetim dhe pastaj duke më shpallur të fajshëm dhe me çfarë duhet të dënohem, pa patur asnjë provë dhe pa asnjë proces të rregullt” – thotë Llalla që e akuzon Lu-në se po abuzon me pushtetin që ka duke sulmuar në mënyrë arbitrare të gjithë prokurorët, përfshi prokurorët e ndershëm dhe të devotshëm të cilët rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre për të luftuar trafikun e drogës dhe korrupsionin politik.

“Sjellja e Ambasadorit Lu është shtrembërim i diplomacisë dhe dhunim i hapur i ligjve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Është momenti që Ambasadori Lu të ndalojë së abuzuari pushtetin e tij duke ndërhyrë në administrimin e sistemit të drejtësisë shqiptare” – e mbyll Llalla.

Si nisi kjo përplasje.

Rrënjët janë edhe më të thella, por dolën në sipërfaqe kur ambasadori amerikan nisi të flasë publikisht kundër Llallës si person që mbron njerëzit e korruptuar dhe që pengon reformën në drejtësi.

Në një intervistë për emisionin “Opinion” Lalla tha se sulmet e ambasadorit ishin personale pasi ai kishte konflikt interesi. Llalla tregoi se Lu i kishte kërkuar që të mbylleshin hetimet për çështjen e Bankers Petroleum pas shpërthimit në zonën e Fierit. Në të njëjtën intervistë Llalla konfirmoi se Lu i kishte kërkuar arrestimin e një zyrtari të lartë, por pa e nxjerrë emrin e tij.

Këtë e bëri në një letër që ish-kryeprokurori i dërgoi Senatit Amerikan në 2017-ën ku shkruante se në maj të 2015-ën, Lu i kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës. Pas publikimit në lapsi.al të kësaj letre reagoi Lu që tha se kjo ishte një gënjeshtër dhe se Llalla ishte një zyrtar i korruptuar, shkruan lapsi.al.

Si për të treguar se gjithçka ishte “OK”, Lu shkoi një ditë më pas edhe në zyrën e Presidentit Meta në një takim jashtë axhendës ku mendohet se letra e Llallës ishte në fokus të bisedës. Publikisht u fol për një takim “miqësor” dhe në “frymë pozitiviteti”. Kujtojmë se në fillim të këtij viti Departamenti Amerikan i Shtetit i hoqi Llallës të drejtën për të udhëtuar drejt SHBA-ve ndërsa Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim ndaj tij për fshehje pasurie dhe pastrim parash.