Thellohet përçarja në LDK’në e Prizrenit

Pakënaqësitë me Eqrem Kryeziun po vazhdojnë. LDK në Prizren është ndarë në dysh. Njëri krah i Kryeziut e tjetri që po kërkon Kuvend të Jashtëzakonshëm. Fatmir Memaj, një nga iniciatorët e kësaj thirrjeje, kërkon takim më më 22 mars.

Lajme

17/03/2014 20:37

Njëri ndër iniciatorët për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Degës së LDK’së në Prizren, Fatmir Memaj, bëri të ditur se ka bërë një ftesë për takimin e strukturave të LDK’së më 22 mars në Prizren, për të sqaruar marrëveshjen që është arritur mes këtij grupi dhe strukturave të larta të LDK’së në Qendër, raporton RTK.

Memaj thotë se ajo marrëveshje ka devijuar, ndërsa takimi i thirrur në mes të nënshkruesve të kërkesës për Kuvend të Jashtëzakonshëm të LDK’së në Prizren dhe Haki Rugovës, Anton Çunit dhe Naser Osmanit të cilët janë ngarkuar nga kryesia qendrore dhe Isa Mustafa është i domosdoshëm.

“Konsiderojmë se është i frytshëm takimi i këtij shtabi, edhe delegatëve edhe kryetarëve të nëndegëve, ku do të vihen në ripërfundim bashkërisht me këtë shtabin që është caktuar nga kryetari Mustafa”.

“Në fakt ka devijuar pak kjo marrëveshje, arsyet i dinë ata të cilët i kanë devijuar elementet e marrëveshjes. Megjithatë, takimi do të mbahen në zyrën e LDK’së në Prizren të shtunën në ora 15”.

E, kësaj thirrjeje nëpërmjet një komunikate, i është kundërvënë  zyra për informim e LDK’së, ku i është bërë ftesë anëtarësisë së këtij subjekti që ta bojkotojnë këtë takim, pasi që, ai është i paligjshëm.

“E sqarojmë opinionin publik kryetarët e nëndegëve, anëtarët dhe simpatizantët e LDK’së në Prizren se kjo ftesë është ilegale dhe nuk ka miratim nga kryetari dhe kryesia e LDK’së dega në Prizren”, thuhet në komunikatë.