“The New York Times”: Shumica votoi pro Kosovës, por nuk mjaftoi

Shumica e vendeve që morën pjesë në votim gjatë konferencës së përgjithshme në selinë e UNESCO-s në Paris favorizuan anëtarësimin e Kosovës.

Lajme

10/11/2015 12:25

Kështu thuhet në një shkrim të gazetës më me ndikim amerikane, The New York Times, e cila sqaron se rregullat e UNESCO-s kërkojnë një shumicë prej dy të tretash që të pranojnë një shtet të ri.

Gazeta thekson se kandidatura e Kosovës u mbështet nga të gjitha vendet perëndimore dhe kjo u pa si një hap strategjik drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe njohjes së plotë ndërkombëtare.

Mirëpo, nënvizon gazeta, Serbia ka bërë luftë të madhe kundër përfaqësimit të Kosovës në çdo institucion ndërkombëtar ku ajo ka kërkuar anëtarësim deri tash, raporton RTK nga Nju Jorku.

Gazeta dhe revista të tjera sjellin raportin e Associated Press ku njohës të rajonit dhe të zhvillimeve në Kosovë japin mendimet e tyre rreth epilogut të lobimit dhe votimit.

“Të paktën kam pritur që të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën do ta mbështesin anëtarësimin e saj. Një numër i këtyre shteteve abstenuan, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Poloninë”, i deklaron agjencisë amerikane Richard Caplan, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksford-it.

Ai gjithashtu thotë se “është pritur që aleatët e Kosovës, si SHBA, Britania e Gjermania duhet ta kenë ditur nëse ka pasur mbështetje dhe se nuk do të kishin mbështetur kërkesën e Kosovës në qoftë se mendonin se nuk kishte mbështetje të mjaftueshme”, thotë Caplan.

Më tej në këto njoftime thuhet se delegacioni amerikan ka mbështetur kërkesën e Kosovës, por nuk ka pas të drejtë votimi për shkak të mospagesës së detyrimeve të anëtarësisë.

Kosova deri tash është njohur nga 111 shtete, theksojnë mjetet amerikane të informimit, mirëpo synimi i saj për t’u bërë anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara është bllokuar nga Moska.