The Economist parasheh fatin e dysheve Rama-Meta dhe Basha-Berisha

“Rama do të minimizojë varësinë nga Meta, Basha do të ketë një të përpjetë drejt kreut të udhëheqjes së partisë”. Këto janë parashikimet e Agjencisë britanike të kërkimeve dhe analizës, “The Economist Intelligence Unit” të publikuara në raportin për 4 muajt e fundit të situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri.

Lajme

19/03/2015 13:33

Sipas raportit, Rama po përpiqet të fitojë terren ndaj Metës, ndërsa Basha ndaj Berishës.

Top Channel ka siguruar një kopje të raportit, nga ku bëhet ky parashikim në lidhje me integrimin europian. “The Economist Intelligence Unit pret që Shqipëria të arrijë një progres të konsiderueshëm në plotësimin e kushteve të BE-së deri në fund të 2015-s, duke marrë në konsideratë vendosmërinë e fortë të qeverisë ndaj integrimit europian.

Mundësitë e Shqipërisë në hapjen e negociatave me BE-në kanë pësuar përmirësim, pasi PD-ja i dha fund bojkotit 5-mujor të Parlamentit”. “The Economist” analizon situatën politike në kampin e majtë qeverisës, disa muaj përpara zgjedhjeve të 21 qershorit, duke vënë në fokus kreun e qeverisë, njëherazi numrin një të socialistëve, Edi Rama. “Pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme, Rama kërkon të ndërtojë mbi këtë fitore një tërheqje të mundshme të disa mbështetësve të LSI-së në anën e tij, me qëllim për të minimizuar varësinë nga Ilir Meta. Rama do të vijojë me reformat dhe premtimet social-ekonomike, të cilat rritën popullaritetin në kutitë e votimit”.

Agjencia britanike e kërkimeve dhe analizës bën këtë parashikim për lidershipin e Lulzim Bashës në PD, njëkohësisht edhe për atë çfarë do të mund të arrijë kjo forcë politike në zgjedhjet e 21 qershorit. “Basha do të ketë një të përpjetë për të ngjitur drejt udhëheqjes së partisë, e cila nuk është mësuar të ketë një udhëheqës tjetër veç Sali Berishës.

Kjo do t’ia bëjë të vështirë Partisë Demokratike për ta përmirësuar performancën në zgjedhjet e ardhshme lokale”. Duke analizuar aksionet politike të opozitës gjatë 4 muajve të fundit, raporti vëren se “opozita e qendrës së djathtë, deri më tani ka provuar disi të jetë e dobët në arritjen e shërimit prej disfatës së shkuar elektorale. Partia Demokratike e ka dobësuar pozicionin e saj kur bojkotoi Parlamentin në qershor, pasi një prej deputetëve të saj u godit nga një deputet socialist”. Raporti arrin në këtë konkluzion nisur nga ajo se çfarë mund të prodhojnë protestat e opozitës.

“Natyra paqësore e demonstratave të opozitës mbështesin parashikimin tonë se qeveria, e cila ka shumicën parlamentare, ka të ngjarë të vijojë e qëndrueshme”. Ekonomia, sipas The Economist “Do të ketë rritje, por ritmet do të jenë më të ulëta se pritshmëritë”. Ekspertët e njësisë inteligjente në “The Economist” vlerësojnë se ekonomia shqiptare u rrit me 1.6 për qind vitin e kaluar, dukshëm më pak nga niveli 2.1 për qind, që vlerëson qeveria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Instituti britanik i kërkimeve thotë se rritja anemike është rezultat i situatës së vështirë në Itali dhe Greqi, dy partnerët kryesorë të vendit, por edhe efekteve që burojnë nga konsolidimi i brendshëm fiskal, i cili ndrydh konsumin e qeverisë, por edhe privatëve. Në shtator, krahu inteligjent i “The Economist” pati parashikuar një rritje prej 1.3 për qind për ekonominë shqiptare në 2014-n. Por sipas tij, rezultatet pozitive në tremujorin e tretë, ku prodhimi kombëtar u zgjerua me 3.3 për qind, çuan në rishikimin në rritje të treguesit vjetor.

Por, edhe pse pret që ekonomia të rimëkëmbet në mënyrë graduale, instituti britanik mban një skenar më të përmbajtur sesa Fondi Monetar dhe qeveria. Sipas tij, këtë vit prodhimi kombëtar do të rritet me 2.7 për qind, ndërsa në 2016-n rritja do të shkojë në 3.3 për qind.