“The Economist”: Ballkani, nga kaosi drejt kompromisit

Prej muajsh, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, secila më vete ishte përfshirë në kriza me natyrë të ndryshme. Por në vetëm pak ditë, peizazhi politik në këto vende ndryshoi papritur për mirë.

Lajme

19/05/2017 23:06

Politikanë kosovarë, të cilët zakonisht e përçmojnë njëri-tjetrin, papritmas arritën një marrëveshje për të bërë së bashku fushatë në zgjedhjet e parakoshme parlamentare të 11 qershorit. Në Shqipëri, forca kryesore opozitare, Partia Demokratike, e cila kërcënonte prej muajsh se do t’i bojkotonte zgjedhjet, më në fund arriti marrëveshjen që e fut edhe atë në procesin për legjislaturën e ardhshme. Ndërsa në Maqedoni, presidenti që nguroi aq shumë, u dorëzua më në fund dhe pranoi t’i jepte partisë kryesore opozitare mandatin për formimin e qeverisë së re, duke i dhënë fund ngërçit 5-mujor, që çoi në protesta nëpër rrugë dhe skena dhune brenda Parlamentit.

Nga këto, kriza në Kosovë – siç theksohet në analizën e “The Economist”, – ishte më e mprehtë. Më 10 maj, qeveria e Isa Mustafës ra, kur Partia Demokratike e Kosovës, e themeluar dhe drejtuar nga Hashim Thaçi deri kur ky u zgjodh president, vendosi të bashkonte votat me partitë opozitare që kishin paraqitur mocion mosbesimi kundër koalicionit qeverisës.

Edhe pse shkaku më imediat i rënies së qeverisë ishte dështimi për të ratifikuar në Parlament marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, sipas asaj që thotë revista “The Economist”, pas kësaj lëvizjeje qëndron edhe dëshira e PDK-së për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme, përpara se rënia e mbështetjes ndaj saj të rritej edhe më tej.

Frika ishte se, në një vend me ndasi të thksuara mes klasës politike, e cila ka vuajtur të krijojë stabilitet që prej shpalljes së pavarësisë nga Serbia në vitin 2008, kaosi mund të ishte “pas derës”.

Ndaj dhe më 16 maj, PDK-ja njoftoi papritur formimin e një koalicioni parazgjedhor me dy udhëheqës të tjerë politikë, si Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, me këtë të fundit ish-kryeministër të Kosovës. Që të dy këta janë gjykuar për krime lufte, por kanë fituar pafajësinë. E së bashku me Thaçin, ata kanë qenë komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftoi kundër forcave serbe në luftën e viteve 1998-’99 dhe siguroi mëvetësinë nga Serbia. Por si president, Thaçi konsiderohet tashmë zyrtarisht i paanshëm, ndërsa PDK-ja udhëhiqet nga Kadri Veseli, ish-komandant në shërbimin sekret të UÇK-së.

Ish-kryekomandantët e UÇK-së janë të njohur për urrejtjen ndaj njëri-tjetrit, por së bashku ata kanë shumë mundësi që të fitojnë zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, edhe triumfi i mundshëm do ta ketë jetën të shkurtër, pasi tribunali i ngritur në Hagë për të gjykuar krimet e luftës dhe krimin e organizuar në Kosovë, e ashtuquajtura Gjykatë Speciale, pritet të ngrejë aktakuzat e para në pjesën e dytë të këtij viti, me raportin që çoi në ngritjen e saj që përmendte që të katërt këta udhëheqës si objektiva të mundshëm të hetimit.

Ata mohojnë çdo përfshirje në këto krime. Gjithsesi, shumica e kosovarëve e kanë humbur interesin ndaj tribunaleve ndërkombëtare, e janë më shumë të shqetësuar për punësimin, kujdesin shëndetësor dhe edukimin.

Ndryshe ka ndodhur në Maqedoni, ku kriza nisi pas zgjedhjeve të dhjetorit të kaluar, kur partia konservatore VMRO-DPMNE, në pushtet prej vitit 2006, e pa të pamundur të krijonte një koalicion qeverisës. Presidenti Gjorge Ivanov refuzoi t’i jepte socialdemokratëve të opozitës (LSDM) dhe aleatëve të tyre shqiptarë, mandatin për të formuar qeverinë e re, edhe pse ata kishin arritur tashmë shumicën e nevojshme parlamentare për ta bërë diçka të tillë, me justifikimin se përbënin një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Opozita – që pret të udhëheqë tashmë vendin, – u kundërpërgjigj ndaj këtij refuzimi me akuzat se udhëheqësit e VMRO-së i frikësoheshin dorëzimit të pushtetit, pasi mund të përfundojnë në burg për akuza korrupsioni.

Më 27 prill, deputetët e VMRO-së hapën dyert e Parlamentit për të lejuar protestuesit të hynin brenda. Ata mësynë deputetët dhe dhunuan disa prej atyre të opozitës, përfshi kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, si dhe Ziadin Selën e LR-PDSH-së, ndër më të dhunuarit. Por, nëse pushtetmbajtësit menduan se kjo do t’i ndihmonte ata që qëndronin ende në pushtet, gabuan rëndë. Nën presion gjithnjë e më të madh nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, VMRO-ja e humbi kohezionin. Më 17 maj, presidenti u dorëzua dhe pranoi t’i jepte socialdemokratëve të Zaevit mandatin për formimin e qeverisë së re.

Po në Shqipëri, çfarë ndodhi? Partia Demokratike në opozitë i kishte qëndruar vendimit të saj të 3 muajve të fundit se do të bojkotonte zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat tashmë janë shtyrë në kohë me një javë, për t’u zhvilluar më 25 qershor. Socialistët në pushtet pretendonin se demokratët ishin të frikësuar nga humbja e zgjedhjeve. Por këta të fundit përdorën kauzën se udhëheqësi i socialistëve ishte i lidhur me trafikantët e drogës, ndaj dhe nuk mund të organizoheshin zgjedhje të lira e të ndershme prej tyre. Në orët e para të mëngjesit të 18 majit, e pamundura u bë e mundur: krerët e të dyja partive arritën një marrëveshje për të marrë pjesë të gjitha palët në zgjedhje, siç duhej të ndodhte.

Në javët e kaluara, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë bërë destinacione të zëvendësndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, përgjegjës për marrëdhëniet e Amerikës me vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, Hoyt Brian Yee. Sipas “The Economist”, vizita e tij duket se ka pasur ndikim te kthesat e papritura të politikanëve lokalë, e sidomos gatishmërisë së tyre për kompromise.

BE-ja dhe SHBA janë shqetësuar së fundi nga rritja e ndikimit të Rusisë në rajonin e Ballkanit. Ata frikësohen se konflikti në Ballkanin Perëndimor mund të nxjerrin nga binarët edhe politikat e tjera të tyre, ose t’i detyrojnë ato të ndërhynin sërish, siç bënë në vitet ’90. E pavarësisht përmirësimeve të dukshme, potenciali për kaos mbetet ende aty, e për këtë arsye të dyja palët duhet të mbeten seriozisht të angazhuara në rajon. /TopChannel