Thaçi voton, uron qytetarët dhe bën thirrje për proces demokratik (Video)

Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, njëherësh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka votuar të dielën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Republikës së Kosovës, në qendrën e votimit në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë.

Lajme

08/06/2014 11:17

Pasi e ka hedhur votën e tij, i shoqëruar nga bashkëshortja Lumnije Thaçi, dhe djali i tij Endriti, lideri i PDK-së ka uruar që procesi të shkojë mirë, duke theksuar se sot është një ditë e veçantë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Sot është një ditë e veçantë për Kosovën, në historinë e re të vendit tonë, në këtë proces shumë të rëndësishëm të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë\”, ka thënë Thaçi.

\”Shteti ynë është një shtet i ri evropian, i mundësive të mëdha zhvillimore, këto mundësi jemi zotuar që t’i shfrytëzojmë për të mirën e qytetarëve\”.

\”Sot është një ditë e veçantë për shtetin tonë, për qytetarët e Kosovës. Uroj të gjithë qytetarët e vendit dhe ftoj për pjesëmarrje në zgjedhje, që ky proces të jetë fer, i lirë, demokratik, për çka kam besim të plotë\”.

\”Kam besim të plotë se sot Kosova, qytetarët e saj, spektri politik, do të dërgoj mesazhin më të mirë për botën se në Kosovë demokracia është në veprim, demokracia po zhvillohet, jeta plurale po ngadhënjen. Është një betejë e konkurrencës, në të njëjtën kohë sot është ditë e veçantë, ditë historike, dita e Misionit të Ri. Faleminderit!”, deklaroi pas votimit kryeministri në largim, Thaçi, i cili garon sot për të fituar mandatin e tretë.