Thaçi uron Shqipërinë për statusin, e quan lajm fantastik

\"Unë jam mirë kur është mirë Shqypnia\", \"për ne shqiptarët, dielli lind nga perëndimi\", me këto thënie të patriotëve Isa Boletini dhe Naim Frashëri, kryeministri Thaçi ka uruar Shqipërinë për marrjen e statusit për anëtarësim në BE.

Lajme

24/06/2014 13:46

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Shqipërinë për marrjen e statusin për anëtarësim në Bashkimit Europian, duke përdorur dy citate, një të Isa Boletinit dhe tjetrën të Naim Frashërit.

Thaçi në një postim në profilin e tij në Facebook, marrjen e statusit për Shqipërinë e ka cilësuar si lajm fantastik, duke theksuar se e ardhmja e shqiptarëve është në BE.

\”Shqipëria nga sot është kandidate për anëtarësim në BE. Lajmi më i mirë i mundshëm. Urime motra dhe vëllezër, nuk ka shqiptar në botë që sot nuk është krenar për arritjet e juaja”.

“Dy citate më bien ndërmend në këtë moment. Isa Boletini i jonë kur ka thënë se \”Unë jam mirë kur është mirë Shqypnia\” dhe Naim Frashëri kur tha se \”për ne shqiptarët, dielli lind nga perëndimi\”.

“Me të vërtetë e ardhmja e të gjithë neve është vetëm Bashkimi Europian\”, ka shkruar para pak momentesh Kryeministri Thaçi në Facebook.