Thaçi uron Ditën e Paqes

Dita e Paqes - 12 Qershori, është datë historike për vendin tonë, është dita që shënon  përfundimin e luftës për çlirimin e Kosovës dhe hapjen e kapitullit të paqes.

Lajme

11/06/2014 17:19

Kështu ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, në urimin e tij dërguar qytetarëve të Republikës së Kosovës me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit, të njohur edhe si Dita e Paqes.

“Në këtë përvjetor të rëndësishëm, me pietet dhe krenari të veçantë kujtojmë sakrificën e të gjithë dëshmorëve të lirisë, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rezistencën e të gjithë brezave të qytetarëve tanë, që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Me rastin e Ditës së Paqes, në emër të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të Republikës shpreh falënderimin e thellë për fushatën e bombardimeve të NATO-s, si intervenimin më të suksesshëm ushtarak dhe humanitar në fund të shekullit njëzet”.

“Republika e Kosovës ka hyrë në vitin e shtatë të Pavarësisë, duke konsoliduar institucionet e veta demokratike, e vendosur dhe e përkushtuar për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Pesëmbëdhjetë vjet nga Dita e Lirisë, Dita e Paqes, jemi të vendosur që pas përmbushjes me sukses të misionit të çlirimit dhe të pavarësisë, tani të vazhdojmë me implementimin e reformave të gjithëmbarshme në ekonomi, duke garantuar implementimin e Misionit të Ri – zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të shtetit të Kosovës”, thuhet në urimin e kryeministrit të Republikës.