Thaçi u kërkon simpatizantëve të PDK-së, të mos vijnë për të festuar në Prishtinë

Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka kërkuar nga degët e partisë që drejton që të mos vijnë nesër për festë në Prishtinë.

Lajme

25/02/2016 17:11

Kjo është bërë për të parandaluar ndonjë përplasje të mundshme ndërmjet simpatizantëve të PDK-së dhe atyre të opozitës, të cilët janë duke protestuar në sheshet e Prishtinës.

Merret vesh se Thaçi ka anuluar organizimet e degëve të partisë së tij.

Megjithatë, radiotelevizioni ‘Dukagjini’, duke u thirrur në burimet e veta brenda PDK-së, ka raportuar se Thaçi, ka kërkuar nga degët e partisë së tij, që festën mund ta bëjnë në qytetet përkatëse të vendit.

“Ftoj të gjithë simpatizantët, aktivistët dhe strukturat e PDK-së që të festojnë nëpër komunat e Kosovës, pas votimit të presidentit në Kuvendin e Kosovës”, citohet tu ketë thënë Thaçi, zyrtarëve të lartë të partisë.

Njëkohësisht, Thaçi mësohet të ketë kërkuar nga të gjithë kryetarët e degëve të PDK-së që këtë mesazh ta përcjellin tek secili simpatizant në komunat përkatëse.

Mësohet se ai ka kërkuar që në komunat e vendit të ketë festë, por që ato të jenë të qeta, transmeton lajmi.net.

Ndërkohë, nesër pritet që në seancën e thirrur të mbahet në orën 11:00, të zgjidhet presidenti  i ri i republikës.

Aktualisht kandidatë për këtë post janë Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së dhe Rafet Rama, deputet i PDK-së./lajmi.net