Thaçi u bashkohet liderëve botërorë në inaugurimin e kanalit të Panamasë

Përveç Thaçit, në këtë ceremoni do të marrë pjesë edhe ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, si dhe më shumë se 9 presidentë, mbi 7 kryeministra, si dhe qindra përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës.

Lajme

22/06/2016 14:26

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas vizitave në shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës, të premten ai do të udhëtojë për në Panama.

Atje, Thaçi do t’i bashkohet më shumë se 20 liderëve botërorë të cilët do të marrin pjesë në inaugurimin zgjerimit të kanalit më të madh në botë, atij të Panamasë.

Përveç Thaçit, në këtë ceremoni do të marrë pjesë edhe ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, si dhe më shumë se 9 presidentë, mbi 7 kryeministra, si dhe qindra përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës.

Mësohet se në margjina të ceremonisë, Thaçi do të zhvillojë takime bilaterale edhe me presidentë, kryeministra dhe përfaqësues të shteteve të ndryshme.

Pjesëmarrjen në këtë ceremoni tashmë e kanë konfirmuar edhe dhjetëra përfaqësues të shteteve të Amerikës Qendrore dhe asaj latine, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kanali i Panamasë është rruga e dytë më e madhe ujore në botë, e cila lehtëson qarkullimin e anijeve. Ky kanal është i gjatë 82 kilometra dhe kalon nëpër ngushticën e Panamasë duke lidhur Oqeanin Atlantik me Oqeanin Paqësor.

Kalimi i parë nëpër kanalin ujor është inauguruar në vitin 1914, në të cilin punimet për ndërtimin e tij kanë filluar në vitin 1904 dhe në vitin 2014, Panamaja ka festuar 100 vjetorin e hapjes së tij.

Ky kanal ishte nën administrimin e SHBA-ve deri në vitin 1999.