Thaçi: Trump e ndjen dhe e njeh problematikën e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ka zhvilluar në Nju-Jork një bisedë me homologun e tij amerikan, Donald Trump.

Lajme

26/09/2018 20:14

Përveç me Trumpin, me të cilin ka realizuar edhe një fotografi, Thaçi ka thënë se ka biseduar edhe me zyrtarë të administratës së tij, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo; ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell; dhe ambasadoren e SHBA’së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley.

Sipas Thaçit, i cili ndodhet në SHBA, me rastin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trump i ka thënë se “Kosova është vend i mrekullueshëm, me një popull të mrekullueshëm, që meriton të lëvizë më shpejt përpara”.

“Trump e ndjen dhe e njeh problematikën e Kosovës”, ka theksuar Thaçi në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës.

“Trump dhe zyrtarët e administratës së tij kanë shprehur një mbështetje të fuqishme për Kosovën”, ka thënë presidenti i Kosovës.

“Administrata e presidentit Trump mbështet fuqishëm Kosovën, rrugëtimin më të shpejt në NATO dhe BE”, ka theksuar ai.

“E çmon shumë miqësinë e përjetshme të qytetarëve të Kosovës me SHBA-në… Në të njëjtën kohë vlerëson lartë punën që po bëhet edhe në situata jo të lehta, kritike”, ka thënë Thaçi.

Zyrtarët e administratës Trump kanë vlerësuar, sipas Thaçit, se “Kosova është në drejtimin e duhur dhe po merr përgjegjësitë e veta”.

Administrata Trump “mbështet dialogun Kosovën-Serbi, arritjen e një marrëveshjeje historike, që nënkupton njohjen reciproke Kosovë-Serbi”, ka thënë Thaçi.

“SHBA konfirmuan qartë se e mbështesin edhe angazhimin që kemi deklaruar, në rast të arritjes së marrëveshjes mes të Kosovës dhe Serbisë, ku mund të përfshihet demarkimi i kufirit dhe korrigjimi i lehtë i kufirit, që do të mbyllte urrejtjen ndër shekullore mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.