Thaçi: T’i shmangemi grackës së debateve të njëllojshme rreth luftimit të ekstremizmit

Në vazhdim të fjalës së tij, presidenti Thaçi, ka folur edhe për rëndësinë e shmangies së grackës së debateve të njëllojshme përkitazi me luftimin e ekstremizmit.

Lajme

31/05/2016 17:48

Presidenti Thaçi para të pranishmëve tha se feja duhet t’i bashkojë dhe jo t’i ndajë njerëzit, të mos shkojmë në shtëpitë tona duke mos e avancuar agjendën e dialogut praktik dhe domethënës në komunitetet tona, transmeton lajmi.net

“Nuk besoj se ne mund të bëjmë dialog vetëm mes neve që jemi afirmues të paqes. Ne duhet të jemi të pranishëm edhe në qarqet ku ka jotolerancë, ku mbjellët urrejtja, dhe aty ta dërgojmë betejën tonë kundër ekstremizmit. Pra pa qenë prezent edhe në rrjetet sociale, ku miliona të rinj po helmohen me mesazhe përçarëse dhe me gjuhë të urrejtjes, ne nuk mund të kemi sukses në luftën kundër ekstremizmit”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai tha se nuk mund të arrihet sukses me burgosjen e atyre që tashmë janë të bindur në agjendën e urrejtjes, duke shtuar se duhet bërë një trekëndësh në mes të familjes, shtetit dhe shkollës, për të ndërtuar bazat e shëndosha të një agjende progresive.

Në konferencën e pestë ndërkombëtare ndërfetare që filloi punimet sot në Prishtinë, ku në mesin e mbi 300 pjesëmarrësve janë edhe nobelistet e paqes, Shirin Ebadi nga Irani dhe Tawakkol Karman nga Jemeni, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndër të tjera u përqendrua në rolin e gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit, por edhe në shmangien e qasjes së debateve të njëtrajtshme rreth fesë, transmeton lajmi.net

Para mysafirëve të pranishëm nga mbi 50 shtete të botës, përfshirë edhe shumë sosh që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, presidenti Thaçi se nuk janë vetëm meshkujt ata të cilët duhet të angazhohen në predikimin dhe promovimin e vlerave fetare.

Ai theksoi se patjetër duhet zgjatur dorën edhe gruas, motrës dhe bashkëshortes për të luftuar të keqen bashkërisht, për t’i edukuar fëmijët me dashuri dhe respekt dhe për ta ndërtuar familjen e shëndoshë, shtetin dhe shoqërinë e shëndoshë.

“A ka aleat më të mirë se nëna, motra, gruaja në luftimin e ekstremizmit? Por, cila nënë apo cila bashkëshorte dëshiron të sheh të birin apo burrin të vdekur në shkretëtira të Lindjes së Mesme, duke luftuar për të përhapur agjenda absurde të urrejtjes”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai i ftoi të gjithë të pranishmit, por edhe audiencën e gjerë brenda dhe jashtë vendit për të nisur dhe intensifikuar një dialog të mirëfilltë rreth angazhimit të gruas në çdo aspekt të debatit shoqëror dhe aktivizimit qytetar.

“Mendoj se nobelistet e shquara, Dr. Ebadi nga Irani dhe znj. Karman nga Jemeni, që i kemi sot pranë, janë shembuj që të na ndriçojnë me ide se si të afirmojmë punën dhe rolin e gruas dhe si feja të mos jetë pengesë, por shtytje e angazhimit të grave”, ka thënë presidenti Thaçi. /lajmi.net