Thaçi thotë se taksa ndaj produkteve serbe duhet të pezullohet

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi edhe një herë e ka ripërsëritur se taksa ndaj Serbisë duhet të pezullohet.

Lajme

17/02/2019 19:45

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se taksa e vendosur ndaj Serbisë duhet të pezullohet.

“Nuk ka çmim dhe kauzë që do të mund të cenojë partneritetin e popullit të Kosovës me SHBA. Mund të jetë cenim i qeverisë amerikane në raport me ndonjë politikë të gabuar të qeverisë së Kosovës”, deklaroi Thaçi për Top Channel.

Thaçi po ashtu ka thënë se, Kosova ka qenë e bekuar që ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kosova gjithnjë ka qenë e bekuar që ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë produkt kryekëput i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rezistencës që kemi zhvilluar në Kosovë. Çdo herë që Kosova ka qenë e koordinuar me Bashkimin Evropian dhe para së gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dalur mirë dhe fitues dhe pa hezitim ne do të respektojmë këto këshilla në mënyrë që kjo vështirësi apo kjo rrethanë vështirësuese që është paraqitur të tejkalohet dhe do të vazhdohet me partneritetin special, strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova gjithashtu është me fat dhe ndihem shumë krenar si president i vendit që kemi popullatën më proamerikane në botë dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojmë që të kemi qasje të gabuar në raport me SHBA-të po as me zhvillimin në Kosovë dhe rajon nga qeveria e Kosovës”, tha Thaçi.