VV i ka fajet që Shpend Ahmeti nuk po bën ndryshime të duhura në Prishtinë

Hashim Thaçi ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke thënë se ai ka angazhim fare të vogël për ndryshim të kryeqytetit.

Lajme

23/03/2015 23:29

(E plotësuar)

“Ka një angazhim fare të vogël për të ndryshuar në Prishtinë për të dinamizuar mund të them atë ndryshim, realizimin e atyre projekteve të premtuara, si do që të jetë tash po kalojnë gati dy vite dhe mendoj që është koha që të vepron, të punon”, tha Thaçi në emisionin “Opinion” të TV Klan.

Ai tha se në kohën sa ishte kryeministër e ka shprehur përkrahjen për zhvillimin e kryeqytetit gjë të cilën tha se po e bën edhe tani.

“Nga ana ime ka pasur mbështetjen e plotë gjithë dikastereve, jemi dakorduar edhe me kryeministrin Mustafa përsëri që ta ketë mbështetjen e plotë, sepse Prishtina është kryeqyteti ynë dhe duhet ta zhvillojmë të gjithë, pavarësisht dallimeve politike”, theksoi Thaçi.

Por, sipas tij, Ahmeti po ngufatet nga partia e tij, Vetëvendosje.

“Kryetari i Prishtinës do ta ketë mbështetjen institucionale dhe nuk ka ndonjë rezervë, por mendoj se mund të bëhet shumë më tepër dhe është i ngufatur më tepër nga partia e tij, ndoshta edhe i mungon vullneti”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës.

Thaçi thotë se ka refuzuar dy herë postin e presidentit të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, një herësh edhe zëvendëskryeministër i parë, Hashim Thaçi në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut është pyetur se si po ndodh që dikur ëndrra e madhe e kosovarëve – bashkimi me Shqipërinë, sot është shndërruar në ekzistimin e dy vendeve të ndara.Madje, këto dy shtete kanë edhe një kufi shumë të rreptë mes tyre, duke e vështirësuar lëvizjen e lirë.

Mirëpo, Thaçi tha se Kosova e Shqipëria do të bashkohen.

“Ende nuk jemi bashkuar, mirëpo jemi rrugës. Jemi rrugës për t’u bashkuar brenda Bashkimit Evropian. Në familjen e madhe evropiane nga duhet të shikojë i gjithë rajoni. Dhe Bashkimi Evropian nuk duhet të vonohet me Kosovën dhe duhet t’i hapë më shpejtë rrugët e lëvizjes së lirë”, tha ai.

Pos tjerash Thaçi foli edhe për atë se shumë kosovarë iu bashkuan UÇK-së pas luftës, duke dashur që të krenohen dhe të marrin merita të pamerituara.

Kjo u pa edhe në listat e veteranëve të UÇK-së. Sipas Thaçit, në UÇK ka pasur rreth 25 mijë ushtarë.

“UÇK-ja u masivizua pas luftës. UÇK ka pasur vetëm 25 mijë ushtarë”, tha ai.

Ai mbrojti luftën e pastër të UÇK-së, duke thënë se UÇK-ja nuk ka kryer krime as ndaj serbëve as ndaj askujt.

“Ka mbrojtur qytetarët e Kosovës nga gjenocidi serb. Nuk ka pasur platformë as plan. UÇK ka zhvilluar luftë të pastër. UÇK nuk ka kryer krime ndaj serbëve. Ka mundur të ketë ndonjë person i cili ka keqpërdorur uniformën dhe ka kryer ndonjë vepër të tillë, mirëpo asnjëherë UÇK me ndonjë urdhër të ndokujt”, ka thënë ai.

Hashim Thaçi zbuloi gjatë kësaj interviste se ka refuzuar dy herë postin e presidentit në Kosovë.

Atij i ishte ofruar ky post në vitin 2007 dhe në vitin 2009.

“Kam refuzuar postin e presidentit dy apo tri herë. Nuk e kam kërkuar asnjëherë këtë post”, tha ai.

Por, ai shtoi se për herë të parë posti i presidentit të Kosovës në vitin 2016 do t’i takojë PDK-së, pasi që kjo i takon në bazë të marrëveshjes me LDK-në.

“Posti i presidentit do t’i takojë PDK-së. Ne do ta marrim vendimin më të mirë të mundshëm për vendin kur të vijë koha. Nuk mund të them se a do të jem unë apo dikush tjetër. Gjithçka është caktuar dhe do t’i vijë koha gjithçkaje. Megjithatë unë do të doja që presidenti të zgjidhet nga populli”, përfundoi ai.

Mirëpo, “nëse zgjidhem president i Kosovës më 2016, do ta çoj mandatin deri në fund dhe nuk do ta lë atë në gjysmë për të kandiduar përsëri për kryeministër”, sqaroi Thaçi.