Thaçi takohet nesër me deputetët e PDK-së për Specialen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, zëvendëskryeministri i parë Hashim Thaçi, i ka thirrur për nesër në orën 10:00 deputetët e partisë së tij për të diskutuar rreth themelimit të Gjykatës Speciale.

Lajme

21/07/2015 17:58

Një burim brenda grupit parlamentar të PDK-së, i ka thënë KosovaPress-it se nesër në prani të kryetarit të Partisë do të diskutojnë rreth qëndrimit që do të mbajnë deputetët në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit, kur edhe pritet të jetë në rend dite themelimi i Gjykatës Speciale.

Megjithatë, burim i njëjtë thotë se disponimi është ende i luhatshëm nëse do ta përkrahin qëndrimin partiak edhe deputetët që herën e fundit votuan kundër speciales.

“Jemi ne konsultime, të cilat po vazhdojnë edhe me ndërkombëtarët, me deputetët që nuk e kanë votuat, me kryetarin e partisë Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli. Nesër kemi mbledhje të grupit parlamentar ku do të flasim për Gjykatën Speciale. Disponimi është ende i luhatshëm, por të shohim pas mbledhjes së grupit çka po ndodh”, thotë burimi brenda Grupit Parlamentar të PDK-së.

Në ftesën që u është dërguar deputetëve të PDK-së, thuhet se pjesëmarrja në mbledhje të Grupit Parlamentar është e obligueshme, se do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Partisë dhe se do të bisedohet vetëm për Gjykatën Speciale.