Thaçi sot kryelajm në shtypin malazez

Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi sot ishte kryelajm në shtypin e Malit të Zi.

Lajme

17/01/2015 18:56

Mikpritja malaziase dhe protestat kundër Thaçit, ishin ndër temat që kishin zënë më së shumti hapësirë në to. 

E përditshmja Vijesti, ka shkruar se Thaçi dhe Llukshiq kanë deklaruar vizion të përbashkët. 

“Kemi vizion të përbashkët për zhvillimin e vendeve tona”, ishte titulli i kësaj të përditshmeje. 

“Shefi i diplomacisë kosovare e përmbylli vizitën në Podgoricë dhe Ulqin, protestat kaluan pa incidente”, thotë kjo e përditshme në artikullin tjetër të saj titull “Thaçi interesohet për asetet e ndërmarrjeve të Kosovës në Mal të Zi”.

Kurse e përditshmja tjetër “Blic” botimi në Mal të Zi, në artikullin me mbititull “Mikpritje dhe protesta. Zëvendëskryeministri i Kosovës në vizitë Malit të Zi” dhe titull “Thaçi për dikë mik, xhelat dhe vrasës për të tjerët”, thotë se protestuesit e arrestuar dhe dialogu miqësor mes politikanëve ishin bilanci i vizitës së djeshme të zëvendëskryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, në Podgoricë.

Gjithashtu, në këto të përditshme, hapësirë të madhe kanë zënë edhe thirrjet e protestuesve kundër Thaçit. “Ata që e duan Thaçin le ta marrin në shtëpitë e tyre!”, “Vdekje Thaçit! Shporru nga Mali i Zi!”, “Kush të ftoi o kasapi i serbëve?”, “Nderi dhe turpi jetojnë përherë”, ishin disa prej thirrjeve në protestat kundër Thaçit.