Thaçi s’është humbës

Adem Grabovci thotë se Hashim Thaçi nuk do të pranonte të garonte për ta udhëhequr Kosovën në rast se do ta humbte një betejë të tillë, siç ndodhi me Isa Mustafën, i cili pretendon të bëhet Kryeministër.

Lajme

04/12/2013 08:29

Partia Demokratike e Kosovës nuk e konsideron humbës liderin e saj, Hashim Thaçi, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve dhe humbjes së disa komunave nga kjo parti.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka thënë për “Epoka e Re” se është i befasuar me rezultatin e zgjedhjeve në disa komuna.

Por pavarësisht kësaj, ai thotë se PDK ka ruajtur primatin si subjekti më i madh politik në Kosovë.

“Në këtë kontekst është herët të flitet për përgjegjësi, por ne do t’i analizojnë në detaje të gjithë faktorët që kanë ndikuar në këtë rezultat”.

Grabovci ka komentuar edhe humbjen e Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa, në Prishtinë përballë Shpend Ahmetit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është kryetar i ri i Kryeqytetit.

Sipas Grabovcit, Hashim Thaçi nuk do të pranonte të garonte për ta udhëhequr Kosovën në rast se do ta humbte një betejë të tillë.

“Kur një lider nuk është në gjendje ta fitojë Prishtinën, nuk e di pse ka pretendime ta udhëheqë Kosovën”.