Thaçi: Rinia jonë do ta bëjë Kosovën shembull për rajonin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë tha se të rinjtë kosovarë janë pasuria më e çmuar e vendit dhe se rinia duhet t’i japë shtytje zhvillimeve në vend.

Lajme

12/08/2015 10:40

Thaçi me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se me energjinë dhe kreativitetin e rinisë kosovare, Kosova do të bëhet shtet shembull për rajonin.

“Ju të rinjtë kosovarë jeni pasuria më e çmuar e vendit tonë. Rinia jonë është ajo që duhet t’i japë shtytje dhe t’i prijë zhvillimit të vendit. Me energjinë, shkathtësitë dhe kreativitetin tuaj, askush nuk do të mund të na ndalë në bërjen e Kosovës një shoqëri dhe shtet shembull për të gjithë rajonin. Në periudhën e tranzicionit të gjithë jemi përballur me sfida jo të lehta politike”.

“Tani është koha që t’i jetësojmë në tërësi politikat për fuqizimin e rinisë, asetin kryesor për konsolidimin ekonomik dhe rrugëtimin evropian të Kosovës. Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Rinisë”, ka shkruar Thaçi.