Thaçi: Rama të shkojë në Beograd, përfaqëson një shtet anëtar të NATO-s

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi e ka inkurajuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama që të mos e anulojë vizitën e tij në Beograd, të paraparë për 22 tetor. 

Lajme

17/10/2014 19:13

Thaçi ka thënë se, Ballkani Perëndimor është në rrugën e pakthyeshme të integrimeve Euro – Atlantike. Ai ka shtuar se Shqipëria si shtet anëtar i NATO-s, kurrë më nuk do të lejojë rrezikimin e shqiptarëve në Ballkan. 

“Ballkani Perëndimor ka hyrë në fazën e pakthyeshme të integrimeve Euro-Atlantike, që qëllim parësor e kanë përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Derisa ende dëgjojmë gjuhë të urrejtjes dhe provokime që vijnë nga hijet e të kaluarës së hidhur, progresi i arritur me Marrëveshjen e Brukselit ka mbyllur kapitullin e luftës dhe ndryshimit të kufinjëve. Prandaj dialogu me fqinjë, mirëkuptimi për ballafaqim me trashëgiminë e të së kaluarës dhe fokusi i pandërprerë në plotësimin e kritereve Euro-Atlantike duhen të jenë shtylla kryesore të shteteve tona”.

“Kryeministri Edi Rama përfaqëson një shtet anëtar të NATO-s që kurrë nuk do të lejojë rrezikimin e shqiptarëve në Ballkan, prandaj edhe nuk ka arsye të frikësohet nga dialogu dhe vizita tek fqinjët. Vizita në Beograd është e rëndësishme për Shqipërinë, Kosovën, Luginën e Preshevës dhe tërë rajonin”.

“Për më tepër, synimet tona afatgjata janë integrimet e shqiptarëve në familjen europiane. HTH”, ka shkruar Thaçi në Facebook. (lajmi.net)