Thaçi: Qëndrimi ynë është i çimentuar, Asociacioni vetëm në përputhje me Kushtetutën

Thaçi thotë se e vlerëson angazhimin e Rrahim Pacollit, si udhëheqës i delegacionit kosovar në bisedimet Kosovë-Serbi në fushën e sigurimeve i cili sipas tij ishte i përqendruar në arritjen e marrëveshjes.

Lajme

23/06/2015 22:39

Zëvendëskryeministri dhe shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi në një intervistë ekskluzive për Indeksonline nga Brukseli (nëpërmjet telefonit) ka thënë se raundi i sotëm i bisedimeve në Bruksel ishte i rëndë, por i suksesshme për delegacionin kosovar.

“Mund të themi se e kemi çimentuar qëndrimin tonë se Asociacioni duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Indeksonline: Si kaluan bisedimet sot, si i vlerësoni?

Thaçi: Ishte një ditë definitivisht e suksesshme për delegacionin kosovar që merrte pjesë në raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel. Agjenda ishte e rëndë pasi në rend ishin shumë tema, secila me peshë të madhe. Bisedimet ishin të gjata, të rënda, rraskapitëse.

Duhej të mbylleshin tema të mëdha, të hapura para dy vitesh, siç janë ajo për telekomunikacionin, për energjinë, për sigurimin e automjeteve që qarkullojnë mes Kosovës dhe Serbisë, e vlefshme sidomos për bashkëkombësit që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Të lehta nuk ishin as bisedimet për “Parkun” që ka mbyllur urën kryesore në Mitrovicë e sidomos ato për Asociacionin e Komunave. Kryesorja ishte që delegacioni kosovar ishte i përgatitur për këto bisedime dhe qysh më herët i kishte bërë të qarta vijat e kuqe të tija, kishte elaboruar dhe arsyetuar mirë këto, dhe kjo kishte bërë që pozicioni kosovar të jetë i kuptuar dhe i pranuar edhe nga palët ndërmjetësuese.

E rëndësishme ishte që ne artikuluam qartë që kërkesat tona nuk janë vetëm në interes të Kosovës por edhe në interes të vet bashkësisë ndërkombëtare pasi janë kushte që sjellin paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon.

Indeksonline: Sot u nënshkrua vetëm një marrëveshje, ajo për sigurimin e automjeteve. Pse nuk pat pajtim për çështjet tjera?

Thaçi: Marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimit të automjeteve është e rëndësishme në disa nivele. Prapa skene, negociatat për këtë marrëveshje kanë zgjatur dy vite. Këto dy vite, Qeveria e Kosovës është munduar që t’ju dalë në krah bashkëkombësve tonë nga Lugina e Preshevës, duke pranuar që marrë mbi vete barrën e sigurimit për automjetet e tyre. Tashmë kjo është tejkaluar dhe qytetarët e të dyja vendeve do të munden që me sigurimin që e kanë prerë në shtetin e tyre të kalojnë në shtetin tjetër. Në rastin e Kosovës kjo do të thotë se me sigurimin “TPL” me të cilin kalojnë në Maqedoni, tash e tutje, do të mund të hyjnë edhe në Serbi.

E vlerësoj angazhimin e z. Rrahim Pacolli, udhëheqës i delegacionit kosovar në bisedimet Kosovë-Serbi në fushën e sigurimeve i cili ishte i përqendruar në arritjen e marrëveshjes.

Rëndësia e kësaj marrëveshjeje nuk mbyllet këtu. Ajo do i hap rrugë pranimit të Kosovës edhe në “Kartonin e Gjelbër” që pritet të bëhet në muajt e ardhshëm.

Indeksonline: Çfarë u arrit tjetër sot?

Thaçi: Progres i rëndësishëm, thelbësor, është arritur edhe në çështjet e ndjeshme si ajo e formimit të Asociacionit të Komunave. Mund të themi se e kemi çimentuar qëndrimin tonë se Asociacioni duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me Ligjin për Qeverisje Lokale të Republikës së Kosovës si dhe dokumentet tjera relevante evropiane për qeverisjen lokale.

Edhe në çështjet tjera të rëndësishëm, si ajo për energjetikën, u bë e qartë se nuk do të lejohet kontestimi i pronës së Kosovës në tërë territorin e saj; apo në atë të telekomunikacionit se kodi telefonik për Kosovën do të jetë krejtësisht në duart e Kosovës dhe asgjë më nuk do të kalojë kah Serbia.

Pra, ka qenë një ditë e suksesshme për Kosovën, pasi është konfirmuar përsëri integriteti dhe subjektiviteti shtetëror i Kosovës.