Thaçi: Qëndrimi i Rugovës në Rambuje ishte pasiv, që mbledhjet të kryhen shpejt

Thaçi ka thënë se bashkë me Rugovën kanë festuar një nga ditëlindjet e tij në Athinë.

Lajme

19/04/2018 22:53

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për emisionin “Pressing”, ka folur për ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

Thaçi ka thënë se bashkë me Rugovën kanë festuar një nga ditëlindjet e tij në Athinë.

“Kam festuar bashkë presidentin Rugova ditëlindjen e tij në Greqi, më saktë në Athinë”, tha Thaçi.

Thaçi është pyetur edhe për atë që në librin për të të shkruar nga dy autorë anglez, Rugova paraqitet si pijanec kronik. Ai nuk ka pranuar ta komentojë këtë, duke thënë se libri është i autorëve, dhe jo i tij.

Për atë çfarë Thaçi mendon për Rugovën, dhe të tjerët do ta bëjë të ditur kur ta botojë një libër të tij, nga shënimet personale që i ka mbajtur nga ngjarjet dhe takimet e rëndësishme.

Ndërsa, sa i përket rolit të Rugovës në Rambuje, Thaçi ka thënë roli i ish presidentit në këtë konferencë ka qenë pasiv, dhe ka dashur që mbledhjet të kryhen sa më shpejt.

Sa i përket referendumit në këtë marrëveshje, Thaçi thotë se është ai personalisht që ka arritur ta nxjerrë, me insistimin e tij.

Por, Thaçi thotë se vlerësimet në librin e tij për Rugovën janë bërë nga autorët.

“Presidenti Rugova është vlerësuar edhe më herët kështu nga gazetarët. Unë nuk kam dhënë edhe këso vlerësime kurrë. Çka kanë shkruar aktorët e librit, nuk kam asnjë përgjegjësi. Unë i qëndrojë mbrapa librit, por jo ata çka e kanë thënë autorët”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se nuk është libri i tij.

“Ky nuk është libri im. Atë e kanë bërë autorët që kanë emër dhe mbiemër”.

Në librin e Thaçit, ish-presidenti Rugova cilësohet si kronik dhe adhurues i pijeve alkoolike dhe verës.

Ndërkaq, mes tjerash Thaçi ka folur edhe për dëbimin nga Kosova të gjashtë shtetasve turq, të cilët në Turqi akuzohen për gjoja terrorizëm, si pjesëtarë të lëvizjes së Fethullah Gylenit.

Ai ka thënë se ka biseduar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në telefon, pas dëbimit të gylenistëve drejt Turqisë.

“Kemi diskutuar për zhvillimet tona bilaterale, për atë se nuk ka nevojë për tensionim të situatës”, ka deklaruar Thaçi.

“Nuk pajtohem me opinionet drejtuar lidershipit kosovar prej askujt, Kosova nuk i takon as gylenizmit, as frymës erdoganiste”, ka thënë presidenti.

“E panevojshme dhe e paqëndrueshme”, ka deklaruar Thaçi, kur është pyetur se cili është komenti i tij për deklaratat e Erdoganit për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.