Thaçi qartëson gjithçka: Trepça, Gazivoda dhe Mitrovica gjithmonë do të jenë të Kosovës

Pas takimit me krerët e institucioneve kosovare, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë detaje rreth asaj se çka është diskutuar. Takimin, presidenti e quajti produktiv.

Lajme

30/08/2018 18:19

Ai ka theksuar se gjithsesi do të shtrojë kërkesën e Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, teksa ka shtuar se janë zëra joperëndimorë ata që thonë se po kërkohet shkëmbim territoresh dhe korrigjim kufijsh.

“Shteti i Kosovës është në rrugë të mbarë. Të gjitha proceset e ardhshme do të jenë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe partneret e tjerë. Ne sot në takim të gjithë u pajtuam se dialogu duhet të vazhdojë, dhe se ne duhet të marrim pjesë në takimin e 7 shtatorit, për një marrëveshje sa më gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje që instalon paqe në mes të vendeve tona. Një marrëveshje ligjërisht obligative”, ka thënë Thaçi.

Ai ka deklaruar se askush nuk duhet t’i frikësohet bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Kosovë.

Tutje ka deklaruar se vendi nuk mund të mbetet peng i inxhinierëve të politikës së dështuar. Të atyre që sipas tij kanë qenë të gatshëm që Kosovën t’ia japin Serbisë.

Thaçi  tha se ata që flasin për Trepçën, Ujmanin (Gazivodën) dhe Mitrovicën, ua heq frikën se ato janë të Kosovës një herë e përgjithmonë dhe nuk ka njeri që i cenon.

“Në fund qytetarët e Kosovës do të vendosin me referendum për marrëveshjen. Qyqarllaku te unë nuk ekziston, ata që mundohen që qyqarllaun e vet me ia bart dikujt tjetër nuk do të kenë mundësi”, tha

Thaçi, duke shtuar se kur flet për korrigjim, flet për korrigjimin e padrejtësive që iu kanë bërë popullit shqiptar dhe zyrtarisht do ta shtrojë kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën, por me asnjë çmim nuk do ta jap Mitrovicën.

Presidenti Thaçi shtoi se arritja e marrëveshjes me Serbinë është pothuajse e pamundur pasi jemi në ideologji të kundërta, por asnjë marrëveshje nuk do të ndodhë pa pëlqimin e SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s.

Thaçi ka kritikuar opozitën duke thënë se po duan të nisin luftë me Serbinë. Sa i përket marrëveshjes finale me Serbinë. Për të cilën ka siguruar qytetarët e Kosovës se nuk do të dalin humbës në këtë drejtim.

“Nuk është diçka për të diskutuar për hapat tjerë të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Ne marrim pjesë në takimin e 7 shtatorit, për një marrëveshje që hap perspektivë të qytetarëve të vendit tonë”, ka thënë Thaçi.

Më tej, ai shton se beson se  të gjithë akterët  janë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare me Serbinë, sigurisht që duhet  të rezultojë me njohje reciproke mes dy vendeve.

“Ju siguroj se nuk do të ndodhë që të ketë ndarje nga ana e Kosovës, të gjitha veprimet do të merren edhe me qëndrimin e SHBA-ve. Sa i përket kufijve, unë do të respektojë Kushtetutën e vendit dhe askush nuk mund që të tejkalojë Parlamentin e Kosovës. Ata që thonë do të ketë luftë, le të harrojnë, kanë kaluar ato sene, Kosova është vend  i pavarur dhe sovran”, ka përfunduar Thaçi. /Lajmi.net/

Lexoni edhe:

Thaçi: Kurti e Mustafa le t’ia nisin luftës me Serbinë, hajrin ia pafshin

Haradinaj: Shkëmbimi i territoreve nuk do të diskutohet në Bruksel