Thaçi: Pushteti nuk fitohet me zhurmë as me 12 anëtarë të familjes në RTK (Video)

Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit jashtë rendit të ditës në seancën e sotme parlamentare, ka kritikuar opozitën në prag të protestës së 18 prillit. Ai ka kërkuar prej partive opozitare që nëse dëshirojnë t’i afrohen pushtetit të mos bëjnë shumë zhurmë, edhe pse sipas tij, njëri prej këtyre liderëve ka 12 anëtarë të familjes të punësuar në RTK.

Lajme

16/04/2015 12:20

“Sa më të zhurmshëm e reagues të jeni, aq më larg pushtetit do të jeni. Prandaj, këshilla ime e parë është kjo. Qetësohuni! Dhe, ofroni alternativë sepse kështu është më mirë për juve. Nuk është përvojë vetëm e imja ,por e të gjitha opozitave”, ka thënë Thaçi.

Ai tha se synimi për të goditur institucionet e pavarura të Kosovës është i papranueshëm, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese, e cila u kritikua paraprakisht nga deputetë opozitarë, është një ndër institucionet më të besueshme në vend.

Po kështu, Thaçi tha se opozita po synon edhe sulmin ndaj sektorit privat, sulm i cili po dëmton imazhin e Kosovës tek investitorët e huaj. Ky sulm, tha ai, vjen pikërisht kur është arritur marrëveshja e dhënies me koncesion të Brezovicës, ndërsa sulmin ndaj bankave e vlerësoi si dëmtim ndaj qytetarit, si një rrezik për rritjen e kamatave bankare ndaj qytetarit.

Zëvendëskryeministri i Parë, Thaçi, argumentoi si të pabaza edhe kritikat e opozitarëve ndaj KEDS-it dhe RTK-së.  “Qytetarëve të Kosovës, sikur të kishim mundësinë, do t’ua jepnim falas rrymën, por meqë kjo nuk është e mundur, ata paguajnë rrymën të parafundit më të lirë në Evropë, ky është fakt. Në anën tjetër, ju merreni me mediumet. Vetëm dua t’ju them diçka… Vetëm njëri nga liderët e opozitës i ka dymbëdhjetë anëtarë të familjes të punësuar në RTK”, ka thënë Thaçi. /lajmi.net/

YouTube player