Thaçi premton heqjen e TVSH-së për produktet e IT-së

Qeveria e ardhshme nëse do të drejtohet nga kryeministri aktual Hashim Thaçi, do t’i jap hapësirë të veçantë teknologjisë informative.  

Lajme

27/05/2014 14:19

Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi ka thënë se në qeverisjen e tij të ardhshme ai do të krijojë edhe Ministrinë e Teknologjisë dhe Informacionit, për ta përkrahur dhe zhvilluar këtë sektor të rëndësishëm. 

Ai këtë e ka bërë të ditur gjatë paraqitjes së programit Misioni i Ri, para studentëve të Teknologjisë Informative (IT), ku edhe ka thënë se qeveria e tij në katër vitet e ardhshme, do ta ketë primare edhe këtë fushë.

“Në kuadër të Misionit të Ri, PDK-ja ka plan konkret për industrinë kreative, tha lideri i PDK-së, para shumë ekspertëve të teknologjisë informative, pasi që sipas tij, industria kreative mbështetet në inovacion dhe në periudhën e sotme është bërë motor i rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë dhe prosperitetit në vende të zhvilluara”.

“Element kyç në këtë sektor është cilësia e burimeve njerëzore dhe talenti. Ne kemi popullin më të ri në Evropë dhe kemi potencial të madh që të bëhemi konkurrues në këtë sektor. Një ndër prioritetet e mia do të jetë edhe financimi i kompanive që operojnë në fushën e teknologjisë së lartë dhe të informacionit”, tha Thaçi.

Ai premtoi se do të ndërmarrë hapa konkret për të rritur transferimin e teknologjisë në Kosovë, se do të katërfishoj buxhetin për kërkime shkencore dhe do të rrisë edhe numrin e bursave për këtë fushë.

“Nëpërmjet qeverisjes elektronike ne kemi ulur kostot operacionale dhe kemi rritur gjithashtu efikasitetin e administratës. Kemi kursyer ndjeshëm kohë, duke eleminuar dhe automatizuar shumë burokraci”, ka shtuar Thaçi.

Sipas tij, qeverisja elektronike mundëson që qytetarëve t\’iu dëgjohet më shumë zëri, duke u dhënë mundësi elektronike atyre që të japin ‘feedback’, të konsultohen nëpërmjet pyetësorëve, të marrin pjesë në anketa dhe të japin rekomandime, sugjerime apo ankesa.

“Ne kemi krijuar Qendrën Operative të Rrjetit dhe si rezultat në Kosovë nuk ka institucione publike pa qasje në internet. Kemi krijuar Qendrën Nacionale të të Dhënave dhe tashmë kemi filluar edhe me projektin e identitetit elektronik, i cili mundëson një autentifikim nacional për dhënien e shërbimeve elektronike”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi, njëherësh edhe kryetar i PDK-së, tregoi se Qeveria e Kosovës aktualisht është duke punuar edhe në sistemin e prokurimit elektronik të financuar nga Banka Botërore. Ndërsa, biznesmenëve dhe ekspertëve të teknologjisë, ai iu premtoi edhe heqjen e TVSH-së për produkte të IT-së dhe ‘software’ në mandatin e ardhshëm.