Thaçi: Po eksplorojmë të gjitha mundësitë për marrëveshje me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur senatorin amerikan Ron Johnson, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në mes të vendeve të rajonit.

Lajme

09/09/2018 20:35

Duke e falënderuar senatorin Johnson për vizitën në këtë kohë të zhvillimeve të rëndësishme, sipas presidentit Thaçi, siç është zgjidhja e kontestit rreth emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, kreu i shtetit theksoi se po punon për arritjen e një marrëveshjeje që do të ketë efekte pozitive për rajonin.

“Marrëveshja do të jetë e vështirë të arrihet”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se nëse arrihet, ajo do të jetë plotësisht në përputhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me BE-në, si dhe do të jetë marrëveshje e zbatueshme.

Në anën tjetër, senatori Johnson u shpreh i kënaqur me zhvillimet në rajon.

“Shtetet e Bashkuara përkrahin të gjitha përpjekjet për paqe të qëndrueshme në rajon”, u shpreh senatori Johnson.

Presidenti Thaçi shtoi se është me rëndësi që të gjithë liderët e rajonit po angazhohen të marrin vendime që janë në të mirë të shteteve të tyre, edhe nëse këto nuk janë vendime popullore.

Duke folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi u shpreh se po  “eksplorojmë të gjitha mundësitë për marrëveshje” dhe shtoi se marrëveshja do të jetë në “të mirë të vendit, të rajonit dhe në pajtim me SHBA-në dhe BE-në. Në interes të vendeve tona dhe të investimeve perëndimore në rajon”./Lajmi.net/