Thaçi përmend Zubin Potokun, Zveçanin dhe Leshakun indirekt kur pyetet rreth sakrificës për Luginën e Preshevës

Presidenti Thaçi në “Top Story” është pyetur nga analisti Skënder Minxhozi, i cili përmend edhe kundërshtimet gjermane, se nëse do kërkohej që për Preshevën dhe komunat e tjera shqiptare të sakrifikohen komuna në veri të Kosovës me shumicë serbe apo asestet e Kosovës, cila do të ishte përgjigjja për këtë kërkesë të palës serbe, sepse, sipas tij, që të ketë një marrëveshje duhet të ketë një ujdi mes palësh?

Lajme

20/09/2018 21:48

“Nëse do të ndodhë korrigjimi apo jo, unë shoh gjasa shumë të pakta, sepse Serbia nuk do të pajtohet. Uroj që ajo të reflektoj përmbajtjen e çdo faktori ndërkombëtar. I kuptoj dhe i respektoj edhe skepticizmat, por në momentin që arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për korrigjimin e kufijve, jam i bindur se të gjithë në mënyrë unike do ta mbështesin marrëveshjen, edhe SHBA-ja, edhe BE-ja, duke përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Ata që po flasin kundër korrigjimit, në një formë apo tjetër dërgojnë mesazhe për ndarje dhe shkëmbime. Kudo që të jenë ata, e kanë gabim dhe unë do të jem përballë tyre. Ideja ime është vetëm korrigjimi, bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. Asnjë aset i Kosovës, as Ujmani, as veriu i Kosovës dhe as Trepça nuk vijnë në konsideratë që të jenë pjesë e Serbisë. Është e vërtetë edhe tjetra, që Tito dhe Rankoviq, në kohën e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova në vitet 1956-1959, për të bërë një balancë demografike, ia kanë bashkëngjitur Kosovës një pjesë të Leposaviqit, Leshakut dhe Zubin Potokut. Tani a duhet të mbetemi ne viktimë e Titos? Është e drejtë historike e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit t’i bashkohen Kosovës. Unë e mbështes plotësisht të drejtën e tyre. Më vjen mirë që edhe botërisht faktori ndërkombëtar po reflekton gjithnjë e më tepër. Skena politike në Kosovë është plotësisht në favor të dialogut, negociatave dhe të arritjes së një marrëveshjeje, duke mos e përjashtuar edhe korrigjimin. Ata që flasin për luftë dhe tragjedi, të jesh i bindur që më së pakti janë të interesuar për probleme, konflikte. Për luftë kanë folur edhe në kohën e demarkacionit me Malin e Zi. Sot, 90% e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës e mbështesin korrigjimin. 80% e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit. Edhe presidenti, edhe kryeministri mund të ndërrohen, por korrigjimi do të ndodhë. 98% e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e mbështesin bashkimin e Luginës me Kosovën. Ndërsa, mbi 90% e qytetarëve të Kosovës e mbështesin kërkesën që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës. Nuk ka individë, që do të mund ta bllokojë këtë proces, sepse ne do të shkojmë në referendum dhe vetë qytetarët do ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se pretendimi për të krahasuar Kosovën me Bosnjë-Hercegovinën është tërësisht i paqëndrueshëm. Problemi i Bosnjës, sipas presidentit Thaçi, është krijuar përpara Kosovës dhe ka vazhduar e do të vazhdojë edhe pas zgjidhjes së problemit të Kosovës.

“Po hapet Kutia e Pandorës? Mendoj dhe besoj fuqishëm se përmes një korrigjimi të kufirit Kosovë-Serbi, do kemi një precedent pozitiv. Marrëveshja do të jetë e vullnetit të mirë, vullnetit të lirë dhe marrëveshjes paqësore”, ka thënë ai. /Lajmi.net/