Thaçi përkujton sulmin e dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kujtuar sulmin e dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.

Lajme

22/01/2019 13:35

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se sulmet e vazhdueshme të forcave serbe mbi familjen Jashari, ishin paralajmërim se Serbia po përgatitet të shtypë me dhunë çdo familje liridashëse në Kosovë, raporton lajmi.net.

“Historitë e popujve kanë rrëfime të ndryshme për shumë heronj, por komandanti Adem Jashari dhe familja e tij janë shembulli më unik i atdhetarizmit dhe vetëmohimit për lirinë e një populli”, ka shkruar Thaçi.

Ky është postimi i plotë i Thaçit në Facebook:

Para 21 vjetësh, më 22 janar 1998, ka ndodhur sulmi i dytë i armatosur i forcave serbe kundër familjes Jashari në Prekaz. Sulmet e vazhdueshme mbi këtë familje, e cila dallohej për atdhetarizëm dhe veprime të guximshme kombëtare, ishin paralajmërim se Serbia po përgatitej të shtypte me dhunë çdo familje liridashëse në Kosovë. Familja Jashari, me idealizëm dhe ndërgjegje të lartë njerëzore, politike e kombëtare, asnjëherë nuk ndaloi së sakrifikuari për liri dhe pavarësi. Historitë e popujve kanë rrëfime të ndryshme për shumë heronj, por komandanti Adem Jashari dhe familja e tij janë shembulli më unik i atdhetarizmit dhe vetëmohimit për lirinë e një populli. /Lajmi.net/