Thaçi përgënjeshtron Presidencën, nuk u bisedua për Gjykatën Speciale

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi thotë se në takimin e zhvilluar sot me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Isa Mustafa nuk është diskutuar për Gjykatën Speciale. Nëpërmjet një komunikate, Thaçi përgënjeshtron Presidencën, e cila njoftoi se në takim u diskutua rreth hapave për votimin e amandamenteve kushtetueses për Gjykatën Speciale, në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

28/05/2015 23:18

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme thotë se temë diskutimi ishte përfaqësimi i Kosovës në Asamblenë e OKB-së, pas insistimit të presidentes që ajo ta udhëheqë delegacionin kosovar, si dhe ndryshimet në Ligjin për Benificionet e Ish-Zyrtarëve të Lartë Shtetërorë pas përfundimit të mandatit.

“Zyra e Zëvendëskryeministrit të Parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës njofton opinionin se deklarata e lëshuar sonte nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës se në takimin e mbajtur në mbrëmje në mes të Kryeministrit, z.Isa Mustafa, Zëvendëskryeministrit, z. Hashim Thaçi dhe Presidentes, Znj.Atifete Jahjaga, është diskutuar për Gjykatën Speciale, nuk qëndron. Takimi nuk ka pasur fare të bëjë me Gjykatën Speciale por ka qenë temë diskutimi vetëm përfaqësimi i Kosovës në Asamblenë e OKB-së, pas insistimit të presidentes që ajo ta udhëheq delegacionin kosovar, si dhe ndryshimet në Ligjin për Benificionet e Ish Zyrtarëve të Lartë Shtetërorë pas përfundimit të mandatit. Për çështje të tjera, e theksojmë edhe një herë, nuk është diskutuar”, thuhet në njoftimin e zyrës së Hashim Thaçit.

Ndërkohë në njoftimin nga Presidenca u tha se në takim ‘Kryeministri Mustafa dhe Zv/Kryeministri Thaçi theksuan pritjet e tyre për votimin e amandamenteve dhe procedimit të ligjit i cili rregullon çështjen e Gjykatës Speciale’.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi sot Kryeministrin zotëri Isa Mustafa dhe Zv/Kryeministrin zotëri Hashim Thaçi me të cilët diskutoi rreth hapave për votimin e amandamenteve kushtetueses për Gjykatën Speciale, në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti i Kosovës përmes votimit në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri Mustafa dhe Zv/Kryeministri Thaçi theksuan pritjet e tyre për votimin e amandamenteve dhe procedimit të ligjit i cili rregullon çështjen e Gjykatës Speciale”, thuhej në njoftim e zyrës së presidentes Jahjaga.