Thaçi për Ushtrinë: Është proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm

President i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i vendosur për të vazhduar nismën për themelimin e Ushtrisë, pavarësisht kundërshtimeve të partnerëve ndërkombëtarë.

Lajme

23/03/2017 13:41

Thaçi ka thënë se ky proces është i pandalshëm dhe i pakthyeshëm. Ai gjatë një deklarimi për media të enjten ka thënë se Kosova do të ketë Ushtrinë por edhe partneritetin ndërkombëtarë.

“Është në rrugë të drejtë është proces i saktë do të ndodh në  një kohë të caktuar kohore që do të ndodh pas kthimit të opinionit të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai, transmeton lajmi.net.

“Kam besim të plotë që Qeveria do ta procedojë dhe nuk shoh ndonjë problematik apo telashe në këtë proces. Është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm”, është shprehur Thaçi.

Presidenti ka thënë se janë në favor që ushtria të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese dhe për këtë do vazhdojnë bisedimet edhe më serbet, por edhe me spektrin politik dhe shoqërinë civile.

Por, ai është shprehur se nuk mund të presin nëse serbët vonohen për të votuar Ushtrinë. /Lajmi.net/