Thaçi për takimin e partive politike: Konsensusi politik – synim i objektivave euroatlantike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur takimin e përfaqësuesve të partive politike, i cili po vazhdon të mbahet, për të biseduar për ngjarjet në vend.

Lajme

25/04/2018 14:56

“Është inkurajues takimi i sotëm i partive politike për të përafruar qëndrimet dhe për ta institucionalizuar agjendën shtetërore”, ka shkruar Thaçi në Facebook, transmeton lajmi.net.

Shkrimi i plotë:

Konsensusi politik dhe uniteti qytetar janë veprime esenciale për të ardhmen e Kosovës. Në shërbim të kësaj, e mirëpres platformën për dialog ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të prezantuar nga Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjithashtu është inkurajuese platforma politike, e cila përfshin pika të rëndësishme të agjendës shtetërore e prezantuar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në kontekst të këtyre iniciativave përshëndes tryezën e sotme politike, të thirrur nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Është inkurajues takimi i sotëm i partive politike për të përafruar qëndrimet dhe për ta institucionalizuar agjendën shtetërore.

Konsensusi i gjerë politik është garancia ma e mirë për të përmbushur agjendën shtetërore, e cila si synim ka arritjen e objektivave euroatlantike të Kosovës. HTH